Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Von der Leyen në Shkup: Maqedonia e Veriut para hapit kyç drejt BE-së, identiteti dhe gjuha juaj do të respektohen

Redaksia Lajmetereja • 02-10-2026 13:21
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Von der Leyen në Shkup: Maqedonia e Veriut para hapit kyç drejt BE-së, identiteti dhe gjuha juaj do të respektohen
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Shkup dhe pas takimit kokë më kokë me kryeministrin Hristijan Mickoski, ka deklaruar në një konferencë të përbashkët për media se Maqedonia e Veriut i përket Bashkimit Evropian, por tashmë duhet të hedhë hapin e fundit drejt këtij qëllimi. “Mesazhi im është ky: qartë, ju na përkisni, tani keni vetëm një hap vendimtar për të ndërmarrë për të ecur përpara dhe për të hapur kapitullin e parë. E di sa e ndjeshme është kjo, por dua të jem e qartë për atë që përfaqëson Evropa. Ne do ta mirëpresim Maqedoninë e Veriut me identitetin dhe gjuhën e saj. Ne besojmë se kultura dhe gjuha maqedonase mund ta bëjnë Unionin tonë më të pasur, sepse motoja jonë është - diversiteti dhe uniteti”, u shpreh zyrtarja e lartë evropiane. Në këtë linjë, kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se vendi i tij po i përmbush me përkushtim detyrimet dhe reformat e parapara, duke vlerësuar se tashmë ka ardhur momenti që Brukseli të ofrojë një proces të drejtë, pa kushtëzime të reja shtesë. Sipas kreut të ekzekutivit maqedonas, biseda me presidenten e Komisionit Evropian ishte e hapur, përmbajtjesore dhe e përqendruar te temat kyçe që diktojnë të ardhmen eurointegrative të shtetit. “Diskutuam reformat, dinamikën e procesit të anëtarësimit, por edhe sfidat që kanë rënduar rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian për vite me radhë. Vendosmëria jonë si vend është e qartë dhe mbetet e pandryshuar. Ne duam të jemi pjesë e Bashkimit Evropian dhe po punojmë me përkushtim drejt këtij qëllimi. Në të njëjtën kohë, besojmë se ka ardhur koha që ky proces të marrë mbështetje më të fortë politike nga institucionet evropiane. Vendosmëria jonë evropiane nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të jetë kurrë në diskutim. Ajo që kërkojmë sot është një proces që do të jetë i drejtë dhe i bazuar në rregulla të qarta”, u shpreh Mickoski. Në fund, ai shtoi se shteti po i përfundon angazhimet e veta dhe po zbatojë reformat e kërkuara, ndonjëherë brenda afateve e ndonjëherë me ndonjë vonesë të vogël, por në fund çdo detyrim po çohet deri në fund.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar