Politikë
1 min lexim
Ndahet nga jeta Murteza Berisha, figurë e njohur e politikës dhe arsimit në Mitrovicë
Reklamë e Sponsorizuar
Publikuar më:
Është ndarë nga jeta Murteza Berisha, një prej njerëzve që për vite me radhë dha kontribut të rëndësishëm në arsimin dhe jetën institucionale të Mitrovicës.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Safet Kamberi, i cili ka vlerësuar kontributin e Berishës, veçanërisht gjatë viteve të ’90-ta.
Në periudhën kur arsimi shqip në Kosovë përballej me rrethana të jashtëzakonshme, Berisha ishte i angazhuar në organizimin dhe mbajtjen gjallë të mësimit në sistemin e shtëpi-shkollave, duke qenë një prej figurave të rëndësishme të organizimit të arsimit shqip në Mitrovicë.
Pas përfundimit të luftës, deri në vitin 2007, Murteza Berisha shërbeu si Drejtor i Arsimit në Komunën e Mitrovicës. Më pas drejtoi edhe Bibliotekën e Qytetit, duke vazhduar angazhimin e tij në fushën e arsimit dhe kulturës.
Berisha ishte aktiv për shumë vite edhe në strukturat e LDK-së në Mitrovicë, ku dha kontribut në jetën politike dhe institucionale të qytetit.
Kryetari i Kuvendit Komunal, Safet Kamberi, ka shprehur ngushëllime për familjen Berisha, të afërmit, miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që e njohën dhe bashkëpunuan me të.
“Mitrovica humbi një njeri që një pjesë të rëndësishme të jetës ia kushtoi arsimit, institucioneve dhe qytetit të tij”, thuhet në njoftimin e Kamberit.
Murteza Berisha do të kujtohet veçanërisht për kontributin e tij në ruajtjen dhe organizimin e arsimit shqip gjatë viteve të vështira të ’90-ta.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: