Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Kronikë

Nisma e re: Kërkohet nga Avokati i Popullit dërgimi i Ligjit për Gjykatën Speciale në Kushtetutë

Redaksia Lajmetereja • 25-09-2026 13:41
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Nisma e re: Kërkohet nga Avokati i Popullit dërgimi i Ligjit për Gjykatën Speciale në Kushtetutë
Një grup përfaqësuesish të shoqërisë civile, komunitetit akademik dhe organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut i janë drejtuar me një kërkesë zyrtare Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, duke i kërkuar që ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Sipas kësaj kërkese, synohet të qartësohet nëse mandati i këtij institucioni me seli në Hagë ka tejkaluar kufijtë e autorizimit fillestar të përcaktuar përmes nenit 162 të Kushtetutës së Kosovës. Tutje në dokument theksohet se paragrafi i parë i këtij neni kushtetues lejoi themelimin e Dhomave të Specializuara me qëllim që vendi t'i përmbushë detyrimet ndërkombëtare që rrjedhin nga Raporti nr. 12462 i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i datës 7 janar 2011, i përgatitur nga raportuesi Dick Marty. Po ashtu, nacionale dhe ndërkombëtare, të cilat ndërlidhen drejtpërdrejt me gjetjet e raportit dhe që kanë qenë në fokus të hetimeve nga Task Forca Hetimore Speciale. Në bazë të këtyre dispozitave, vlerësohet se Kushtetuta nuk ka dhënë një autorizim të pakufizuar për krijimin e një juridiksioni të përgjithshëm penal, por ka lejuar vetëm një mekanizëm të posaçëm brenda sistemit të drejtësisë për një qëllim të caktuar kushtetues. Kërkesa vë në pah se përmbledhja e aktgjykimit në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka bërë edhe më të qartë mënyrën se si janë interpretuar dhe zbatuar këto rregulla në praktikë. Ajo përfshin vlerësime të gjera mbi historikun, organizimin, udhëheqjen dhe strukturat politike e ushtarake të UÇK-së, përfshirë komunikatat publike, shërbimet e inteligjencës, policinë ushtarake, si dhe vetë objektivat e luftës për liri. Megjithëse trupi gjykues ka theksuar se procesi nuk kishte për qëllim të gjykonte legjitimitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, autorët e kërkesës ngrenë shqetësimin nëse shtrirja e analizës ka shërbyer si kufizim efektiv apo si bazë për një juridiksion shumë më të gjerë mbi strukturën e UÇK-së. Sipas tyre, një interpretim aq i gjerë sa të përfshijë çdo zhvillim, person apo ngjarje me lidhje të përgjithshme historike me UÇK-në, rrezikon ta zhvlerësojë plotësisht kufizimin ligjor të përcaktuar në dispozitat përkatëse. Në fund të dokumentit janë radhitur emrat e nënshkruesve sipas rendit alfabetik: Prof. Dr. Enver Hasani (ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese), Abit Hoxha (universiteti i Agderit, Norvegji), Agon Maliqi (aktivist), Dr. Armend Bekaj (Universiteti i Uppsalës, Suedi), Dr. Artan Mustafa (Universiteti i Prishtinës), Bajram Geci (hulumtues doktorature), Dr. Butrint Berisha (hulumtues), si dhe Dr. Fisnik Korenica (profesor i së drejtës).
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar