Kronikë
Haxhiu bën thirrje urgjente: Partitë politike të heqin dorë nga skenari i zgjedhjeve të reja
Reklamë e Sponsorizuar
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme është plotësisht e papranueshme, duke marrë parasysh gjendjen aktuale në të cilën ndodhet Kosova pas vendimit të fundit të Gjykatës Speciale në Hagë.
Duke folur për periudhën pas 16 shtatorit, ajo ka theksuar se subjektet politike nuk duhet të konsiderojnë në asnjë mënyrë opsionin e shkuarjes në zgjedhje.
Këto deklarata Haxhiu i bëri gjatë fjalimit të saj në konferencën “Partneritet për ndryshim: Gratë që transformojnë sistemet – avancimi i parimeve të Prishtinës 2026–2035”, një ngjarje kjo e organizuar nga Jahjaga Foundation.
“Uroj që të gjitha partitë politike të heqin dorë nga përpjekjet e tyre për ta dërguar vendin në zgjedhje. As për qytetarët, as për Kosovën e as në rrethanat, në të cilat jemi, sidomos pas 16 shtatorit, nuk do të duhej as t’i shkonte në mendje dikujt që të bënim veprime, të cilat të shtyejnë drejt zgjedhjeve”, u shpreh ajo.
Në vijim, Haxhiu shprehu optimizmin se vendi do të arrijë të sigurojë një kandidat për postin e kreut të shtetit deri më datën 6 tetor.
Në cilësinë e kryetares së Kuvendit dhe ushtrueses së detyrës së presidentes, ajo bëri thirrje për intensifikim të bisedimeve politike gjatë kësaj periudhe.
“Prandaj, edhe si kryetare e Kuvendit dhe ushtruese e detyrës së presidentes pres që takimet të vazhdojnë. Është shumë e rëndësishme që Kuvendi i Kosovës gjatë këtyre pak ditëve që i kemi deri më 6 tetor, ta ketë një emër për president. Unë pres që të vazhdojnë diskutimet dhe qëllimi të jetë për zgjedhje të presidentit”, përfundoi Haxhiu.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: