Sport
Gjenerali Wesley Clark sulmon Gjykatën Speciale: Vendim fyes për Hashim Thaçin, ai është viktimë dhe duhet të lirohet
Reklamë e Sponsorizuar
Ish-komandanti i lartë i forcave të NATO-s gjatë konfliktit në Kosovë, gjenerali Wesley Clark, ka drejtuar akuza të forta ndaj drejtësisë ndërkombëtare në Hagë, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe kthimin në atdhe të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë një prononcimi për median, gjenerali amerikan kujtoi se e kishte takuar dy herë Thaçin gjatë kohës së luftës, por theksoi se ai nuk ka qenë personi që ka udhëhequr drejtpërdrejt operacionet ushtarake në terren. Sipas tij, komandant suprem i tyre ka qenë Agim Çeku.
“Asnjëherë nuk më janë treguar prova për atë që mund të kishte bërë Thaçi. Unë e kam takuar dy herë Hashim Thaçin gjatë konfliktit në Kosovë. Ai nuk ishte udhëheqësi, Agim Çeku ishte drejtuesi”, u shpreh Clark, duke shtuar se Thaçi nuk ka pasur kontroll të përditshëm mbi zhvillimet e luftimeve.
Duke komentuar ecurinë e procesit gjyqësor, ish-komandanti i NATO-s e cilësoi atë si të padrejtë dhe fyes, duke përmendur se dëshmia e tij ishte ndërprerë në Hagë kur kishte kërkuar të bënte një krahasim mbi rebelimet dhe përgjegjësinë penale.
“Vendimi është ofendues”, theksoi ai, duke e quajtur haptazi Hashim Thaçin si “viktimë” të një sistemi të gabuar gjyqësor, ndërsa bëri thirrje që Evropa të tregojë respekt për popullin e Kosovës dhe luftën e tyre të drejtë.
“Europa duhet të respektojë popullin e Kosovës, që luftuan për parimet. Millosheviçi ka qenë përgjegjës. Ai ishte një person që donte të promovonte spastrimin etnik. Hashim Thaçi është viktimë dhe kjo është gabim”, shtoi ish-gjenerali, duke pohuar se kishte kërkuar dokumente provuese për akuzat, por nuk kishte gjetur asgjë.
Duke e krahasuar Gjykatën Speciale me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ai vlerësoi se ky i fundit ishte mbështetur në fakte konkrete për krimet e kryera, ndërsa përsëriti thirrjen që e gjithë kjo situatë të marrë fund sa më parë.
“Mendoj se gjykata ka marrë fund. Le të rikthejmë Hashim Thaçin dhe të tjerët në Kosovë, dhe të kthehen në jetën e tyre. Të ecim përpara. Hashim Thaçi ka kaluar 5 vite në paraburgim. Mjaft me kaq”, deklaroi ai.
Në fund të intervistës, i pyetur nëse do të pranonte të dëshmonte sërish në fazën e apelit për t'i dalë në mbrojtje ish-udhëheqësve të UÇK-së, gjenerali Clark u shpreh i gatshëm: “Do e vlerësoja shumë nëse do më ftonin për të shpjeguar se çfarë ndodhi”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: