Sport
Kur Prishtina gjunjëzoi Cërvena Zvezdën: Magjia e Nexhipit dhe Batroviqit që tronditi Beogradin
Reklamë e Sponsorizuar
Për vite me radhë, skuadra e Prishtinës ka gëzuar statusin e një kundërshtari tejet të papërshtatshëm për emrat e mëdhenj të futbollit të ish-Jugosllavisë, duke u shndërruar shpesh në një “mace të zezë” për katërshen e madhe, ku bënin pjesë Dinamo e Zagrebit, Hajduku i Splitit, si dhe dy gjigantët e Beogradit, Cërvena Zvezda dhe Partizani.
Një nga triumfet më epike dhe të paharrueshme në historinë e klubit bardhekaltër mbetet pikërisht ai ndaj Cërvena Zvezdës, e cila u mposht me rezultatin 2:1.
Në kuadër të javës së 16-të të Ligës së Parë të ish-Jugosllavisë, më 1 dhjetor, në prag të dimrit, Prishtina i dha një goditje të rëndë skuadrës nga Beogradi, falë paraqitjes fantastike të dy protagonistëve kryesorë, Mensur Nexhipit dhe Zoran Batroviqit.
Nexhipi ishte në një formë të jashtëzakonshme; përveç se realizoi një gol, ai fitoi edhe një penallti, duke shkaktuar dhimbje koke të mëdha për trajnerin e Zvezdës, Gojko Zec, ndërkohë që nga bankina, drejtuesi Dragan Xhajiç pëlciste nga nervat për shkak të situatës së tensionuar.
Pasi Nexhipi zhbllokoi shifrat në minutën e 6-të dhe Batroviqi dyfishoi epërsinë nga pika e bardhë në minutën e 20-të, më shumë se 25 mijë shikues të pranishëm shpërthyen në festë si një vullkan i vërtetë në stadiumin e qytetit në Prishtinë.
Kronika e kohës nga e përditshmja “Rilindja”, e datës 2 dhjetor 1985, përshkruante ngjarjen me këto fjalë: “Kur para fillimit të ndeshjes së djeshme Prishtina–C. Zvezda publiku dhe udhëheqësia e klubit të Prishtinës përshëndetën Nexhipin e Batroviqin, të cilët dje luajtën ndeshjen e fundit në Prishtinë para se të shkojnë në shërbimin ushtarak, askujt s’do t’i kishte shkuar ndër mend se mu këta dy lojtarë do ta vendosin fatin e duelit me një kundërshtar të fortë siç është C. Zvezda zulmëmadhe”.
Në të njëjtin shkrim vijohej: “Por, mu këta dy, mbas nga dëshira që të lënë përshtypje sa më të mirë në ndarjen e përkohshme, qenë dhe aktorët kryesorë të ndeshjes. Jo vetëm që shënuan nga një gol, në sajë të të cilëve Prishtina shënoi fitoren e parë para shikuesve të saj në duel me C. Zvezdën, porse vazhdimisht ishin rrezik i vërtetë për mbrojtjen e rivalit, i cili në stadiumin e kryeqendrës së Kosovës pësoi humbjen e tretë në këtë kampionat”.
Në tabelën e klasifikimit të asaj kohe, Partizani mbante kreun me 25 pikë, i ndjekur ngushtë nga Cërvena Zvezda me 23 pikë, ndërsa Prishtina renditej në pozicionin e tetë me 18 pikë të grumbulluara.
Statistikat dhe detajet e ndeshjes:
Prishtina – Cërvena Zvezda 2:1
Stadiumi: Stadiumi i Qytetit në Prishtinë.
Spektatorë: Mbi 25.000.
Golashënuesit: Nexhipi (6'), Batroviqi (20' - nga penalltija) për Prishtinën, kurse Elzner (56') për Cërvena Zvezdën.
Gjyqtarët: Enver Shariqi nga Trebinja (kryesor), Stjepan Gllavina nga Klisi dhe Mirosllav Vishnjiçki nga Novi Sadi (anësorë).
Kartonë të verdhë: B. Gjurovski.
Formacionet:
Prishtina: Rade Zalladi 8, Xhevdet Muriqi 6, Fatom Domi 7, Sahit Kelmendi 8, Skënder Shengyli 7, Rifat Mehinoviqi 7, Mensur Nexhipi 8, Favzi Rama 6 (Kujtim Shala 6), Fadil Vokrri 7, Fadil Muriqi 6 dhe Zoran Batroviqi 8.
Cërvena Zvezda: Lukovçan 7, Kërxheviq 6, Jankoviq 7, Miletoviq 6, Elzner 7, Shugar 7, Nikoliq 6, B. Gjurovski 6, Musemiqi 6, Millojeviqi 6 dhe Gjuroviq 6.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: