Kronikë
Kurti habit në Bruksel: Citojnë Gjykatën Speciale para Ursula von der Leyen për luftën e UÇK-së
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë konferencës së përbashkët për media me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka sjellë në vëmendje vendimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke veçuar tri çështje kyçe që kërkojnë vëmendje ndërkombëtare.
Kreu i ekzekutivit shqiptar theksoi se në këtë aktgjykim bie në sy fakti se pretendimet për të ashtuquajturën “shtëpi e verdhë” dhe trafikimin e organeve nuk kanë qenë pjesë e aktakuzës. Po ashtu, ai shtoi se akuzat për krime kundër njerëzimit dhe sulme të sistematikuara ndaj popullsisë civile janë rrëzuar, ndërsa Tribunali ka bërë të qartë se UÇK-ja nuk ka qenë në gjyq dhe se vendimi nuk synon të minimizojë legjitimitetin e luftës çlirimtare.
Megjithatë, shefi i qeverisë përsëriti qëndrimin se ky vendim përmban mangësi të rënda faktike, historike dhe juridike, duke shprehur besimin se ato do të korrigjohen në shkallën e dytë të Apelit, pasi drejtësia duhet të jetë plotësisht e paanshme.
Duke trajtuar temën e vuajtjeve të kaluara, Kurti përkujtoi rreth 20 mijë viktimat e dhunës seksuale gjatë periudhës së luftës në Kosovë, për të cilat shumë nga autorët ende mbeten të pandëshkuar, duke kërkuar llogaridhënie të plotë për secilin krim dhe autor.
Në fund, ai theksoi prerazi se nuk do të lejohet asnjë përpjekje për barazimin e përgjegjësisë dhe fajësisë përmes krijimit të narrativeve të rreme historike.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: