Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Sport

Courtois zbulon sekretin e Barcelonës dhe veçon armën kryesore të Flick për “El Clasico”

Redaksia Lajmetereja • 01-10-2026 12:01
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Courtois zbulon sekretin e Barcelonës dhe veçon armën kryesore të Flick për “El Clasico”
Portieri i Real Madridit, Thibaut Courtois, ka bërë një analizë të thelluar mbi ecurinë e shkëlqyer të rivalit të përjetshëm, Barcelonës, duke i drejtuar elozhe të veçanta sulmuesit brazilian, Raphinha, të cilin e cilëson si shtyllë kurrizore të skemave të trajnerit Hansi Flick. Në një prononcim për emisionin “Radioestadio” në radion spanjolle “Onda Cero”, “gardiani” belg pranoi hapur se katalunasit po kalojnë një moment tejet pozitiv dhe po tregojnë një efikasitet të jashtëzakonshëm para portës kundërshtare. “Po bëjnë shumë mirë. Është një ekip që shënon gola me shumë lehtësi”, u shpreh me sinqeritet portieri i madrilenëve. Pavarësisht forcës kolektive të skuadrës kundërshtare, vëmendja e 31-vjeçarit u përqendrua te Raphinha, për të cilin ruan një konsideratë shumë të lartë, duke e parë si elementin vendimtar në lojën e katalunasve. “Ai është një pjesë kyçe te Barça. Kur nuk ka qenë në dispozicion, mendoj se kanë vuajtur shumë, ndërsa kur është, ata po luajnë mirë”, tha shtatlarti belg. Më tej, Courtois shtoi se braziliani shpeshherë anashkalohet nga mediat dhe opinionbërësit, pavarësisht kontributit të jashtëzakonshëm që jep në fushën e blertë. “Ai nuk merr gjithmonë njohjen që meriton, por është një pjesë kyçe e asaj skuadre dhe shënon shumë gola sepse është një lojtar i madh”, nënvizoi ai. Këto deklarata vijnë në një kohë kur Raphinha është bashkuar sërish me grupin pas një dëmtimi të pësuar gjatë angazhimit me Kombëtaren e Brazilit, duke dhënë sinjale pozitive për stafin teknik të katalunasve. Fjalët e portierit të Real Madridit marrin një peshë edhe më të madhe, pasi ato vijnë në prag të supersfidës “El Clasico”. Dy gjigantët e futbollit spanjoll do të përballen me 25 tetor në “Spotify Camp Nou”, në një nga takimet më elektrizuese të sezonit aktual. Duke parë formën e frikshme të brazilianit, Courtois e di mirë se sfida e radhës do të kërkojë vëmendje maksimale nga ana e mbrojtjes madrilene për ta asnjanësuar atë. “Do të duhet ta ndalim atë pas një muaji”, përfundoi mesazhin e tij Thibaut Courtois.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar