Politikë
Bojkoti i PDK-së: Enver Hoxhaj braktis mbledhjen e Komisionit të Arsimit dhe kërkon ndryshimin e ligjit për Specialen
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Komisionit për Arsim dhe Shkencë, Enver Hoxhaj, njëkohësisht deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, ka braktisur mbledhjen e këtij trupi parlamentar. Ky vendim erdhi si pasojë e qëndrimit zyrtar të Grupit Parlamentar të PDK-së për të bojkotuar të gjitha komisionet, derisa ekzekutivi të dërgojë në Kuvend nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Para se të largohej nga salla, Hoxhaj u bëri thirrje të gjitha partive politike që të ndërmarrin hapa për amandamentimin e ligjit në fjalë, ndërsa u la hapësirë anëtarëve të tjerë që të vijonin diskutimet e parapara në rendin e ditës.
"Unë nuk do të propozoj asgjë për fushëveprimin e komisionit. Kam dashur të jem fer me juve dhe konkret vetëm se i takon kushtëzimit të komisionit. Unë e lëshoj këtë mbledhje. I ftoj kolegët dhe të gjitha subjektet politike që ta amandamentojnë ligjin për gjykatën speciale. Kolegët e tjerë çfarëdo që keni prej sugjerimeve sa i takon fushëveprimit të këtij komisioni besoj që mund t’i vazhdoni", u shpreh ai.
Pas largimit të tij, drejtimin e mbledhjes e mori nënkryetarja Arjeta Fejza, e cila theksoi se aktualisht institucioni nuk po vepron në kushte dhe rrethana normale pune.
"Sa i përket çështjes së ligjit, tashmë ka një diskutim i cili është duke u bërë nga subjektet politike, ka një qëndrim edhe të ministrisë dhe të kryeministrit në këtë proces. Nga ana tjetër, ne si komision, siç u përmend edhe nga parafolësit, kemi çështje të cilat konkretisht e afektojnë mënyrën se si do të funksionojë arsimi në dritë të tij. Andaj pajtohem që ne nuk jemi në rrethana normale për të funksionuar. Uroj që sa më shpejt të konsolidohen të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, edhe ne vërtet mund të vazhdojmë me punën tonë edhe si komision edhe si kuvend, më konkretisht si komision për arsim për të trajtuar të gjitha çështjet që bien mbi fushëveprimtarinë tonë", deklaroi Fejza.
Pavarësisht largimit të kryetarit të komisionit dhe tensioneve politike të krijuara, deputetët e mbetur të pranishëm në sallë votuan pro, duke miratuar në mënyrë unanime konstituimin dhe fushëveprimtarinë e komisionit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: