Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Bojkoti i PDK-së: Largohen nga Komisioni i AKI-së dhe vendosin kushtin e panegociueshëm për Kuvendin

Redaksia Lajmetereja • 01-10-2026 08:41
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Bojkoti i PDK-së: Largohen nga Komisioni i AKI-së dhe vendosin kushtin e panegociueshëm për Kuvendin
Ligji për Dhomat e Specializuara është kthyer në pikën e thyerjes mes pushtetit dhe opozitës, pasi deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë braktisur mbledhjen e parë të Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI). Ky veprim ka ardhur menjëherë pas konstituimit zyrtar të këtij trupi parlamentar, duke kushtëzuar pjesëmarrjen e tyre të mëtejshme në komisione me procedimin urgjent të ndryshimeve ligjore për Specialen. Deputetja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, ka theksuar se ndonëse ngritja e institucioneve mbetet një proces me peshë, prioritet absolut për vendin në këtë fazë është çështja e Dhomave të Specializuara. "Ne sapo morëm pjesë në komisionin për mbikëqyrjen e AKI-së dhe natyrisht si Parti Demokratike e Kosovës konsiderojmë që konstituimi i institucioneve është shumë i rëndësishëm, prandaj edhe ishim aty. Mirëpo gjithashtu jemi larguar nga ky takim pas konstituimit për shkak se për momentin për Republikën e Kosovës nuk ka ndonjë prioritet më të madh se sa procedimi i plotësim-ndryshimit të ligjit për Specialen", u shpreh ajo. Në të njëjtën linjë është pozicionuar edhe deputeti Rrahman Rama, i cili e ka cilësuar këtë çështje si "prioritet mbi prioritetet". Ai ka lëshuar një paralajmërim të prerë se përfaqësuesit e PDK-së do të refuzojnë të ulen në çdo komision tjetër parlamentar derisa ky ligj të kalojë procedurat e duhura. "Por neve si parti, qysh e tha edhe Besa, është prioritet mbi prioritetet ligji. Dhe ne nuk do të marrim pjesë në asnjë komision pa u kry ky ligj. Në qoftë se shohim kanë ardhur shumë ligje këtu brenda për brenda Kuvendit nëpër komisione të ndryshme, dhe ne besojmë, dhe po besoj, edhe gjithë qytetarët besojnë që prioriteti numër një është Ligji për Dhomat e Specializuara", deklaroi Rama. I pyetur lidhur me premtimet e ekzekutivit se iniciativa ligjore do të jetë në Kuvend brenda kësaj jave, Rama konfirmoi se partia e tij pret hapa konkretë dhe të shpejtë. "E presim, e presim na, këtu jemi domethënë, por ne presioni është që sa më parë që të vjen, sa më parë që është e mundshme me ardhur në kuvend dhe t’i kryejmë të gjitha procedurat", shtoi ai. Lidhur me paralajmërimet për takime mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, që lidhen me çështjen e presidentit, Rama përsëriti se pozicioni i partisë mbetet i pandryshuar. Sipas tij, mbikëqyrja e procesit dhe përkrahja financiare për Dhomat e Specializuara duhet të jenë të parat. "Ju e dini edhe qëndrimin e PDK-së po edhe të vetë kryetarit Bedri Hamza. Për neve prioritet është e para, domethënë ligji për Dhomat e Specializuara të ketë mbikëqyrje, domethënë të procesit dhe përkrahje financiare. Dhe pas asaj mundemi me u ulë dhe me diskutuar dhe është edhe me ne edhe qëndrimi jonë që të ketë sa më parë që është e mundshme Kosova t’i ketë të gjitha institucionet", tha ai. Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së e nisi punën e tij pas votimit të 16 komisioneve parlamentare gjatë ditës së hënë në Kuvendin e Kosovës. Në agjendën e kësaj mbledhjeje ishte shqyrtimi dhe miratimi i fushëveprimit të punës. Kryesuesi i komisionit, Bekë Berisha, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, bëri me dije se mbledhja do të vazhdojë të jetë e mbyllur për publikun, duke ndjekur praktikën e vendosur ndër vite për këtë dikaster sigurie.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar