Politikë
Debati për Specialen dhe UÇK-ja: Xhevat Dajaku zbulon prapaskenat e deklaratës së Kuvendit
Reklamë e Sponsorizuar
Më 28 shtator, Kuvendi i Kosovës miratoi unanimisht, me 99 vota pro, pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim, një rezolutë lidhur me vendimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Ky hap ka nxitur debate të gjera publike se si shteti duhet t'i qaset një aktgjykimi që mbetet ende i papërfundimtar, si dhe për mesazhin që përcillet në opinion lidhur me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përgjegjësinë penale personale të të dënuarve.
Xhevat Dajaku, vëllai i ish-truprojës së presidentit Ibrahim Rugova, Besim Dajaku, e ka cilësuar miratimin e kësaj deklarate si veprim të gabuar, duke vlerësuar se ajo dëmton seriozitetin e institucioneve dhe ndërhyn në parimet e funksionimit të drejtësisë.
Ai ka theksuar se verdikti i shkallës së parë ka të bëjë ekskluzivisht me llogaridhënien individuale, ndërsa mbrojtja e vërtetë e UÇK-së konsiston në distancimin e luftës çlirimtare nga çdo veprim i mundshëm kundërligjor i individëve të caktuar.
"Miratimi i deklaratës, e cila lidhet me vendimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara ndaj katër të akuzuarve për krime ndaj bashkëkombësve, nga Kuvendi i Kosovës, është një hap jo i mirë, që në radhë të parë e luhat seriozitetin e institucioneve, duke rënë ndesh me normat e funksionimit të drejtësisë dhe mekanizmave rreth saj," u shpreh Dajaku.
Sipas tij, Gjykata e Specializuar ka bërë të qartë në vendimin e saj se UÇK-ja nuk ka qenë në aktakuzë, duke e vlerësuar atë si të pastër e të drejtë, ndërkohë që janë hedhur poshtë akuzat për krime kundër njerëzimit dhe është theksuar se bëhet fjalë për vepra penale të kryera nga individë.
"Pra, verdikti u dha për individë që kanë qenë të papërgjegjshëm në disa raste gjatë pushtetit të tyre, nën petkun e UÇK-së," shtoi ai, duke kritikuar narrativat që po ndërtohen në publik.
Dajaku vlerëson se fushata aktuale po përpiqet të barazojë fajësinë e individëve me vetë luftën e UÇK-së, duke krijuar frikë dhe presion të panevojshëm në shoqëri.
"Kjo fushatë, e cila po drejtohet nga një grupacion i fuqishëm dhe që, fatkeqësisht, po gjen hapësirë edhe brenda institucioneve shtetërore, po zhvillohet mbrapa narrativave të pavërteta, por qëllimisht të ndërtuara, sikur, nëse dënohet katërshja në Hagë, do të dënohet UÇK-ja, do të dënohet lufta jonë, do të dënohet shteti i Kosovës, do ta humbim shtetin… dhe kështu me radhë," theksoi Dajaku.
Ai përfundoi duke thënë se mbrojtja më e fortë e historisë sonë çlirimtare mbetet guximi për të ndarë vlerat e luftës nga përgjegjësia individuale për krime.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: