Aktuale
Përplasje dhe tensione të forta në burgun e Pizës: Të burgosurit, përfshirë shqiptarë, ngrihen në protestë
Reklamë e Sponsorizuar
Një situatë e tensionuar ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës, më 30 shtator, brenda institucionit të vuajtjes së dënimit “Don Bosco” në Pizë të Italisë, ku rreth 40 të dënuar, mes të cilëve edhe shtetas shqiptarë, u grumbulluan në një sektor të godinës duke kërkuar një takim urgjent me drejtoreshën dhe komandantin e policisë penitenciare.
Sipas informacioneve nga shteti fqinj, revoltë e nisur erdhi pasi disa nga të burgosurit pohuan se kishin konstatuar praninë e mikrofonafëve dhe pajisjeve të tjera përgjuese brenda hapësirave të tyre të paraburgimit, të cilat dyshohet se ishin vendosur për qëllime hetimore. Të dënuarit kundërshtuan me forcë këtë masë, duke kërkuar të drejtën e komunikimit pa u survejuar.
Ngjarja ka marrë përmasa të tjera pasi është transmetuar live në platformën TikTok nga njëri prej të burgosurve, pavarësisht se përdorimi i telefonave celularë brenda burgut është rreptësisht i ndaluar. Në materialin filmik dëgjohen thirrje në gjuhën italiane dhe shqipe, ndërsa situata duket tejet e acaruar. Gjatë transmetimit, personi që mbante aparatin telefonik dëgjohet duke u shprehur: “Duhet të jenë gazetarët aty, do t’i masakrojnë keq çunat”, ndërsa një tjetër i dënuar dëgjohet duke lëshuar fjalë fyese në gjuhën shqipe.
Në dëshmitë e transmetuara gjatë protestës, të burgosurit deklaruan se fillimisht ishin nxjerrë jashtë qelive nga drejtoria dhe më pas kishin vënë re pajisjet elektronike të fshehura. Ata gjithashtu ngritën pretendimet se gjatë konflikteve janë goditur me shkopinj gome nga ana e efektivëve të policisë.
Kjo protestë nisi rreth orës 19:00 dhe vijoi për disa orë me radhë. Për shkak të përplasjeve të dhunshme mes të dënuarve dhe forcave të sigurisë, në vendngjarje u thirrën autoambulanca, ndërsa jashtë mjediseve të burgut u mobilizuan një numër i madh trupash të policisë, karabinierëve dhe policisë penitenciare.
Autoritetet italiane pritet që në ditët në vijim të hedhin dritë mbi rrethanat e sakta të këtij incidenti, si dhe të verifikojnë nëse pajisjet e përgjimit të pretenduara ishin instaluar në qeli në kuadër të ndonjë procedimi penal aktiv.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: