Botë
Ursula von der Leyen në Prishtinë: Fokus te integrimi evropian dhe Plani i Rritjes
Reklamë e Sponsorizuar
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka mbërritur sot në Kosovë, ndalesë kjo që është pjesë e turneut të saj të gjashtë zyrtar në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Axhenda e shefes së ekzekutivit evropian në Prishtinë përfshin takime të rëndësishme me krerët e shtetit. Sipas agjendës së bërë publike, ajo do të zhvillojë një takim me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiun, në orën 12:30, në ambientet e Presidencës, për të vazhduar më pas me një takim tjetër me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.
Diskutimet gjatë kësaj vizite pritet të përqendrohen te përshpejtimi i agjendës evropiane të Kosovës, me theks të veçantë te procesi i integrimit gradual dhe zbatimi i Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, një mekanizëm kyç për forcimin ekonomik të rajonit.
Pas qëndrimit në Kosovë, von der Leyen do të vijojë vizitat e saj në vendet e tjera të rajonit, duke u nisur drejt Podgoricës, ndërsa cikli i takimeve do të përmbyllet më 2 tetor në Shkup.
Kjo vizitë pason ndalesën e saj në Shqipëri, ku presidentja e Komisionit Evropian vlerësoi hapat konkretë të Tiranës zyrtare drejt anëtarësimit në BE. Gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin Edi Rama, ajo nënvizoi se integrimi i Shqipërisë është një vlerë e shtuar për të gjithë familjen evropiane.
Megjithatë, Von der Leyen vuri theksin te domosdoshmëria për vazhdimin e reformave në të gjithë kapitujt e negociatave. Ajo veçoi luftën kundër korrupsionit si një ndër shtyllat kryesore dhe të pakompromis për çdo shtet që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: