Politikë
Prishja e njëanshme e koalicionit në Mitrovicë, AKR: Peci vuri interesat personale mbi ato të qytetarëve
Reklamë e Sponsorizuar
Aleanca Kosova e Re (AKR) ka njoftuar se partneriteti qeverisës në Komunën e Mitrovicës është ndërprerë në mënyrë të njëanshme të mërkurën nga ana e kryetarit të komunës, Faton Peci. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i këtij subjekti politik, Emir Abrashi.
Sipas kreut të AKR-së, ky vendim për prishjen e bashkëpunimit erdhi menjëherë pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila i dha të drejtë Behgjet Pacollit në padinë e ngritur ndaj Pecit. Gjatë ditës së mërkurë, u bë e ditur se gjykata kishte aprovuar kërkesëpadinë e Pacollit, duke e detyruar Pecin që t'i kompensojë dëmin jomaterial për deklaratat publike të bëra kundër tij në nëntor të vitit 2024.
Abrashi ka vlerësuar se koha dhe mënyra e zgjedhur për këtë ndërprerje dëshmojnë qartë se pakënaqësitë dhe mosmarrëveshjet personale janë vendosur para interesit madhor të qytetarëve të Mitrovicës. Si pasojë e këtij vendimi politik, nga pozita e drejtorit të Drejtorisë për Ekonomi, Zhvillim, Turizëm dhe Integrim Evropian është shkarkuar Gani Rrustemi, i cili vinte nga radhët e AKR-së.
Duke sqaruar natyrën e kontestit ligjor, Abrashi ka theksuar se padia ndaj kryetarit të komunës ishte ndërmarrë nga Pacolli në nivel personal, duke shtuar se ky i fundit nuk mban asnjë post drejtues apo ekzekutiv brenda strukturave të AKR-së që prej muajit gusht të vitit të kaluar.
"Për rrjedhojë, bartja e një kontesti personal gjyqësor në raportet e qeverisjes komunale është e pajustifikueshme dhe në dëm të stabilitetit institucional dhe interesit qytetar", ka shtuar kreu i AKR-së, duke ritheksuar se administrata lokale duhet t'i shërbejë qytetarëve përmes punës e rezultateve dhe jo përmes përplasjeve personale.
Në këtë linjë, ai ka pohuar se ky veprim dëshmon që standardet e lartpërmendura nuk janë mbajtur parasysh nga ish-partnerët e koalicionit. Pavarësisht largimit nga ekzekutivi lokal, AKR-ja konsideron se ka lënë pas një trashëgimi me projekte dhe rezultate konkrete gjatë kohës sa ka qenë pjesë e qeverisjes.
Në mbyllje të reagimit, Abrashi ka bërë të me dije se dega e kësaj partie në Mitrovicë do të vijojë angazhimin dhe konsolidimin e saj politik, me synimin e qartë që në të ardhmen të fitojë besimin e plotë të qytetarëve për të marrë drejtimin e komunës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: