Aktuale
Skandali i videove intime të VIP-ave, reagon ashpër Komisioneri: Ndaloni menjëherë shpërndarjen
Reklamë e Sponsorizuar
Pas valës së publikimeve të materialeve intime të disa personazheve të njohur në rrjetet sociale dhe hapësirën online, ka reaguar Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, nën drejtimin e Besnik Dervishit. Institucioni u ka bërë thirrje urgjente mediave, platformave digjitale dhe qytetarëve që të ndalin çdo formë të transmetimit apo rishpërndarjes së këtyre përmbajtjeve.
Në deklaratën zyrtare, Komisioneri nënvizon se statusi i një personi publik nuk e zhbën në asnjë mënyrë të drejtën e tij themelore për jetë private. Sipas institucionit, interesi apo kurioziteti i publikut ndaj sferës intime të individëve nuk legjitimon në asnjë rrethanë nxjerrjen e pamjeve apo materialeve të tilla në pah.
Gjithashtu, autoriteti sqaron se qarkullimi i mëparshëm i një materiali në internet nuk e legalizon aspak ripublikimin apo shpërndarjen e tij të mëtejshme. Çdo veprim i tillë vetëm sa shton ekspozimin e dëmshëm dhe rëndon gjendjen e personave të prekur, si dhe të familjeve të tyre.
Duke paralajmëruar për masa të rënda administrative dhe penale ndaj kujtdo që shkel ligjin përmes përpunimit të paligjshëm të të dhënave, Zyra e Komisionerit ka kërkuar fshirjen e menjëhershme të çdo materiali intim të publikuar në kundërshtim me rregullat ligjore.
“Në vijim të publikimeve të fundit në media dhe rrjete sociale për materiale të pretenduara intime, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale u bën thirrje mediave, portaleve dhe përdoruesve të rrjeteve sociale të respektojnë jetën private dhe dinjitetin e çdo individi.
Ligji nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” ndalon përpunimin e këtyre përmbajtjeve. Gjithashtu, publikimi dhe shpërndarja e tyre është e ndaluar.
Të qënit figurë publike nuk përbën heqje dorë nga e drejta për jetë private. Kurioziteti për jetën intime të një individi nuk mjafton për të justifikuar publikimin e saj si çështje me interes publik. Liria e shprehjes dhe e informimit duhet të ushtrohet duke respektuar kushtet e nenit 43 të ligjit, përfshirë domosdoshmërinë, proporcionalitetin dhe mbrojtjen e thelbit të të drejtave themelore.
Fakti që një material qarkullon në internet nuk e bën të ligjshëm ripublikimin e tij. Çdo rishpërndarje mund të shtojë ekspozimin dhe dëmin ndaj personave të prekur dhe familjeve të tyre.
Çdokush që përpunon në mënyrë të paligjshme të dhëna personale është subjekt i masave administrative dhe penale.
Zyra e Komisionerit bën thirrje të ndërpritet publikimi dhe rishpërndarja e materialeve intime në kundërshtim me ligjin dhe të hiqen përmbajtjet e publikuara në mënyrë të paligjshme”, shkruan Zyra e Komisionerit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: