Sport
Rrëfime frymëzuese dhe thyerje tabushësh: Çfarë solli nata e dytë e Festivalit të Filmit Sportiv në Prishtinë
Reklamë e Sponsorizuar
Edicioni i gjashtë i Festivalit të Filmit Sportiv “Prishtina 2026” ka vazhduar rrugëtimin e tij, duke ngjitur në ekranin e Kino ABC tregime mbresëlënëse që dëshmojnë forcën e vullnetit, thyerjen e paragjykimeve dhe rëndësinë e angazhimit fizik në përballimin e sfidave të jetës.
Nata e dytë e këtij eventi kinematografik u hap me shfaqjen e dokumentarit “Sara”, i cili sjell në vëmendje rrugëtimin e jashtëzakonshëm të 16-vjeçares Sara Bulliqi. E lindur pa një pjesë të krahut të djathtë dhe duke ushtruar sportin përmes një proteze, ajo ka arritur të thyejë barrierat dhe të garojë suksesshëm në fushën e gjelbër të futbollit.
Para shfaqjes së këtij filmi, Kushtrim Krasniqi nga Komiteti Olimpik i Kosovës vlerësoi lart figurën e gazeles së re, duke e cilësuar atë si një model se si sfidat mund të kapërcehen përmes aktiviteteve sportive. "Sara, një vajzë 16-vjeçare, e cila përkundër sfidave të shumta jetësore ia ka dalë që të merret me sport, madje të jetë shumë e suksesshme në sportin e futbollit," u shpreh Krasniqi.
Ndërkohë, protagonistja e mbrëmjes, Sara Bulliqi, ndau emocionet e saj me publikun, duke falënderuar të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë dhe i kanë dhënë krah në këtë eksperiencë. "Kjo është thjesht një dokumentar i shkurtër që tregon sfidat gjatë jetës që i kam tejkaluar me njerëzit që i kam tejkaluar. Pikësëpari falënderoj Burimin dhe Ganimetën që më kanë përzgjedhur për ta treguar historinë time, familjen time normalisht, por më së shumti një falënderim ekipit tim. Kanë qenë një pjesë shumë e madhe e jetës, ku besoj që shumicën e arritjeve të mia i kam bërë me ta. Shpresoj që kam me i pasë gjithë dhe shpresoj që ky film ju jep motiv që kurrë mos e u ndalni e me provu sende të reja gjithmonë," deklaroi ajo.
Projekti kinematografik është realizuar nga shtëpia produksuese “Art Without Limit”. Producentja Ganimete Sava ndau përshtypjet e saj rreth talentit dhe natyrshmërisë që Sara ka treguar gjatë xhirimeve, duke u shprehur se jehona e këtij filmi ka marrë përmasa ndërkombëtare. "Dua të falënderoj Sarën, që ka qenë pjesë si një aktore, aq mirë dhe natyrshëm ka luajtur, sa që i kemi marrë të gjitha këto komente nga festivalet e ndryshme ndërkombëtare. Për krejt këto sa është motivuese, është edhe një vajzë e mrekullueshme. E përgëzoj edhe familjen e Sarës. Sara është një yll që po ecën përpara," theksoi Sava.
Pas këtij rrëfimi prekës, programi vijoi me shfaqjen e dokumentarit “Brezi i parë”, të ideuar nga autorët Valdete Osmani dhe Enis Imeri. Ky film dokumentar rikthen kujtesën te vitet ’70, duke zbuluar sakrificat e grave dhe vajzave kosovare që sfiduan kohën duke iu bashkuar radhëve të basketbollit dhe hendbollit gjatë periudhës kur vendi ishte pjesë e ish-Jugosllavisë. Përmes dëshmive autentike, prodhimi pasqyron shtypjen, diskriminimin gjinor e kombëtar dhe pengesat me të cilat u ndesh ky brez pionier.
Autorja Valdete Osmani shprehu mirënjohjen e saj për mundësinë e hulumtimit të kësaj pjese të ndritur, por të dhimbshme, të historisë sportive vendase. "Unë jam shumë e lumtur që e kam bërë këtë dokumentar, sepse me të vërtetë kam mësuar shumë. Përveç që jam marrë shumë me histori, në anën tjetër kam mësuar edhe për ato vështirësi që i kanë kaluar në atë kohë. Kështu që jam shumë e lumtur që në një mënyrë kam arritur të kontribuoj në historinë tuaj, po në të njëjtën kohë të mbetet si dëshmi për gjeneratat e reja," u shpreh ajo.
Më tej, festivali hapi dyert për kinematografinë ndërkombëtare, ku adhuruesit e artit patën mundësinë të ndiqnin vepra të zgjedhura si “The Dragon from Koseze”, “Running the Race: 100 Year Celebration of Olympic Champion Eric Liddell”, “Broken Kids: The Untold Story of Young Athletes” dhe “Arda Turan: Confrontation”. Me këto shfaqje të larmishme u përmbyll me sukses edicioni i gjashtë i këtij manifestimi kulturor.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: