Aktuale
Pamje e jashtëzakonshme në Korenë e Jugut: Peshkaqeni 3.5 metra bllokohet në kanal, tërheq gjysmë milion vizitorë
Reklamë e Sponsorizuar
Një peshkaqen gjigant është shndërruar në atraksionin kryesor të qytetit port të Busanit në Korenë e Jugut, pasi ka ngecur prej afro dy javësh në një kanal të ngushtë nga i cili nuk po arrin të dalë. Ekspertët besojnë se kafsha ka humbur rrugën duke ndjekur prenë e saj dhe është futur nga deti i hapur brenda kanalit.
Peshkaqeni me gjatësi rreth 3.5 metra është pagëzuar me emrin “Bukang-i”, sipas Portit të Veriut të Busanit, vend ky ku u diktua për herë të parë më 18 shtator. Në vend që të shkaktonte frikë apo panik, prania e tij ka zgjuar një kureshtje të jashtëzakonshme, duke u kthyer në një sensacion të vërtetë në rrjetet sociale dhe duke bërë që autoritetet ta konsiderojnë tashmë si një maskotë jozyrtare të qytetit.
Statistikat tregojnë një interesim rekord, ku rreth 600 mijë njerëz kanë vizituar zonën e portit që nga 19 shtatori vetëm për të parë nga afër kafshën detare. Vetëm gjatë festës koreane të Chuseok, e ngjashme me Ditën e Falënderimeve, numri i qytetarëve dhe vizitorëve që u dyndën në parkun e bregdetit arriti në afër 500 mijë brenda një jave të vetme.
Pavarësisht popullaritetit të fituar, prioriteti kryesor i autoriteteve mbetet shpëtimi i peshkaqenit dhe kthimi i tij i sigurt në det të hapur, pasi qëndrimi i gjatë në ujërat e ngushta të kanalit mund të rrezikojë shëndetin dhe mbijetesën e tij afatgjatë. Të martën, pesë anije ndërhynë duke përdorur spërkatje uji për ta orientuar drejt daljes, ndërsa operacioni u ndoq nga turma të mëdha njerëzish dhe u transmetua drejtpërdrejt në YouTube.
Megjithatë, kjo përpjekje e parë dështoi pasi peshkaqeni arriti t'i shmangte anijet duke u zhytur ose duke kaluar pranë tyre. Autoritetet bëjnë të ditur se do të provojnë sërish, ndoshta duke nisur që nga e premtja, ku Kim Won-ho, një zyrtar i qytetit të Busanit, theksoi se strategjia do të përshtatet në bazë të zhvillimeve në terren.
Në kuadër të planit të ri, Instituti Kombëtar i Shkencave të Peshkimit po përgatit një rrjetë të posaçme me gjatësi prej të paktën 50 metrash. Kjo rrjetë do të vendoset përmes kanalit nga anijet për ta drejtuar kafshën gradualisht drejt lirisë, ndërkohë që një tjetër mjet lundrues do të spërkasë ujë nga pas për t'i dhënë drejtimin e duhur.
Deri më tani, nuk janë vërejtur shenja se gjendja shëndetësore e Bukangit është përkeqësuar. Kryebashkiaku i Busanit, Chun Jae-soo, u shpreh se peshkaqeni tashmë është bërë pjesë e historisë së qytetit falë dashurisë dhe vëmendjes së madhe që ka marrë nga banorët, teksa vijojnë përpjekjet për t'i rikthyer atë në habitatin e tij natyror.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: