Aktuale
Aroma e traditës pushton Prishtinën: Nis edicioni i ri i Festivalit të Kafesë dhe Çajit
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeqyteti është shndërruar sot në qendrën e adhuruesve të pijeve më të popullarizuara në botë, me hapjen e dyerve të Festivalit të Kafesë dhe Çajit në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Ngjarja, e cila do të mirëpresë vizitorët deri më 2 tetor, shërben si një pikë takimi për të gjithë qytetarët që duan të shijojnë aromat unike të këtyre dy pijeve.
Për këtë edicion, organizatorët kanë bashkuar 25 marka vendndodhëse dhe ndërkombëtare, duke u krijuar bizneseve një platformë ideale për të forcuar praninë e tyre në treg dhe për të rritur dukshmërinë te konsumatorët.
Valmir Abdullahu, përfaqësues i “Galla Caffe” nga ‘Caffe Group’, ka ndarë përshtypjet e tij për këtë pjesëmarrje të tretë radhazi në festival, duke e cilësuar atë si një formulë të dëshmuar suksesi për kompaninë e tyre me gati dy dekada përvojë në treg.
Duke folur për gamën e gjerë që ofrojnë, Abdullahu theksoi se prezantimi shtrihet në segmente të ndryshme të tregut vendas: “Ne e promovojmë sot kafen, espreson e kafen turke. Kemi një brend shumë të mirë, një kafe shumë të mirë që e kemi në gjithë Kosovën, nëpër restorante, në kafene, ndërsa turken e kemi nëpër markete”.
Ai shtoi se kërkesa e lartë për produktet e tyre dëshmon angazhimin e palëkundur ndaj standardeve të larta të cilësisë.
Sipas tij, kjo mbështetet edhe nga faktet shkencore: “Është një kafe që e pëlqejnë shumë, mendojmë që e marrim një kafe pak më cilësore. Edhe në analizat tregojnë që është 100 për qind kafe cilësore dhe e shërbejmë me shumë sinqeritet”.
Nga ana tjetër, Diellor Berisha, përfaqësues i kompanisë “Liri” nga Prizreni, ka vlerësuar se ky panair shërben si një mundësi e shkëlqyer për të zgjeruar shtrirjen dhe ndikimin e brendeve vendase në ekonominë e vendit.
Duke përmendur artikujt e njohur të kësaj kompanie, Berisha u shpreh: “Si kompani besoj që ka bukur një ndikim të madh në tregun e Kosovës, me plot brende tona për shembull siç i kemi Sempren, PoKo, llojeve të ndryshme të produkteve që i kemi. Mandej është pjesa që ndoshta e kemi si brend tonin të Kosovës që është pak a shumë në konkurrencë me një brend të shteti fqinj, dhe besoj që ka një ndikim bukur të madh domethënë në ekonominë në treg gjithkund”.
Berisha konfirmoi gjithashtu se interesimi i publikut është tejet i lartë, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të eksplorojnë nga afër prodhimet vendore.
Ky festival, përveç promovimit të kulturës së përgatitjes së kafesë dhe çajit në mbarë Kosovën, synon t'i sigurojë publikut një eksperiencë të paharrueshme. Gjatë tri ditëve të aktivitetit, vizitorët do të kenë rastin të argëtohen përmes lojërave shpërblyese, dhuratave, performancave muzikore live dhe maskotave të dedikuara për fëmijët.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: