Aktuale
Kriza e besimit në Gjermani: Pakësohet ndjeshëm mbështetja e qytetarëve ndaj shtetit dhe institucioneve
Reklamë e Sponsorizuar
Gjermania po përballet me një rënie historike të besimit publik ndaj shtetit, sipas gjetjeve të një anketimi të fundit. Rezultatet tregojnë se vetëm 32 për qind e qytetarëve të pyetur kanë besim të lartë ose shumë të lartë te shteti në pëjrgjithësi, shifër kjo që shënon një ulje krahasuar me 44 për qind që regjistrohej katër vite më parë.
Këto të dhëna dalin nga studimi i titulluar “eGovernment Monitor 2026”, i cili është realizuar nga nisma D21 në bashkëpunim me Universitetin Teknik të Mynihut. Hulumtimi dëshmon gjithashtu një tkurrje të besueshmërisë edhe ndaj strukturave administrative, ku vetëm 34 për qind e të anketuarve shprehin bindje pozitive ndaj administratës dhe zyrave publike, duke rënë nga 37 për qind që ishte më parë.
Në kontrast me institucionet e tjera, forcat e rendit vazhdojnë të gëzojnë mbështetjen më të madhe nga qytetarët, me 55 për qind të besimit, të ndjekura nga sistemi gjyqësor dhe drejtësia që arrijnë në kuotën e 41 për qind.
Sa i përket sferës politike, qytetarët gjermanë tregojnë më shumë besueshmëri ndaj qeverisjes lokale dhe komunale me 29 për qind, ndërsa nivelet bien ndjeshëm kur bëhet fjalë për autoritetet rajonale me 20 për qind dhe ato federale me 17 për qind. Ndërkaq, vetëm 20 për qind e pjesëmarrësve në sondazh pohuan se kanë besim të madh ose shumë të madh tek organet e shtypit dhe mediave.
Për realizimin e këtij studimi, instituti i sondazheve Kantar ka zhvilluar një proces ankete online gjatë muajve prill dhe maj në të gjithë territorin gjerman, duke përfshirë rreth 8.000 persona mbi moshën 16 vjeç, me një mesatare prej afërsisht 500 të anketuarish për secilin land. Sipas autorëve të studimit, këto tregues janë përfaqësues për popullsinë që përdor privatisht internetin.
Objektivi kryesor i këtij hulumtimi u përqendrua te procesi i digjitalizimit të administratës publike. Nisma D21 operon si një rrjet jofitimprurës që mbështet dhe promovon përparimin e shoqërisë digjitale në Gjermani.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: