Sport
Foda paralajmëron ndryshime në formacion kundër Izraelit: Situata e Aro Muriçit do të vendoset në stërvitjen e fundit
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetrajneri i Përfaqësueses së Kosovës, Franco Foda, ka dalë sot para gazetarëve në konferencën tradicionale për media, në prag të ndeshjes vendimtare ndaj Izraelit, e cila vlen për xhiron e tretë të Grupit B3 në Ligën e Kombeve.
Duke analizuar kundërshtarin, strategu gjerman ka vlerësuar lart cilësinë e izraelitëve, duke theksuar se bëhet fjalë për një skuadër me profil të lartë teknik dhe shpejtësi në lojë. Ai ka kërkuar nga të besuarit e tij disiplinë taktike dhe kompaktësi në fushë, ndërsa ka konfirmuar se do të ketë rreshtim tjetër taktik krahasuar me sfidën e kaluar ndaj Austrisë.
"Izraeli është kombëtare shumë e fortë, kanë futbollistë teknikë dhe të shpejtë. Presim një ndeshje të vështirë nesër. Ne duhet të jemi kompaktë dhe do të japim maksimumin për të bërë një paraqitje sa më të mirë. Nesër do ta ndryshojmë formacionin; nuk do të jetë i njëjti sikurse ndaj Austrisë. Na pret një takim i një rëndësie të veçantë", u shpreh Foda para mediave.
Më tutje, ai shtoi se pavarësisht paraqitjes jo plotësisht bindëse kundër austriakëve, synimi mbetet përsëritja e standardit të lojës të treguar në përballjen me Irlandën.
Në pjesën e fundit të fjalës së tij, trajneri Foda u ndal te gjendja shëndetësore e portierit titular Aro Muriç, i cili pësoi një lëndim gjatë ndeshjes së fundit.
"Aro u lëndua në ndeshjen kundër Austrisë dhe nuk ka mundur të stërvitet me klubin e tij sot. Ne do ta zhvillojmë edhe seancën përmbyllëse të stërvitjes, ku do të vlerësojmë situatën e tij për të kuptuar nëse do të jetë plotësisht i gatshëm për lojë", përfundoi selektori i Kosovës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: