Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Sport

Kriza në SHISH, si u cënua siguria kombëtare dhe bashkëpunimi me aleatët

Redaksia Lajmetereja • 30-09-2026 15:21
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Kriza në SHISH, si u cënua siguria kombëtare dhe bashkëpunimi me aleatët
Shërbimi Informativ e Shtetit (SHISH), një prej shtyllave kryesore të arkitekturës institucionale të sigurisë kombëtare dhe burimi kryesor i njohjes së mjedisit strategjik për vendimmarrjen, ka kaluar në një fazë të rëndë degradimi, duke shfaqur dukuri të thella të kriminalizimit si në rrafshin personal ashtu edhe në atë institucional. Kjo panoramë alarmante doli në dritë paralelisht me masën e sigurisë 'arrest shtëpie' ndaj drejtueses së institucionit. Një realitet i tillë sugjeron se situata e brendshme ka kohë që është përkeqësuar ndjeshëm, duke ngritur shqetësime serioze për gjendjen reale brenda strukturave të inteligjencës. Për një vend relativisht të vogël si Shqipëria, ku kapacitetet modeste ekonomike dhe ushtarake kërkojnë kompensim, informacioni shërben si shumëfishuesi kryesor i fuqisë shtetërore. Roli i inteligjencës është pikërisht lidhja mes informacionit dhe autoritetit të shtetit, ndërsa treguesi kryesor i efektivitetit mbetet paralajmërimi në kohë. Megjithatë, ngjarja e fundit lidhur me kreun e SHISH dëshmoi se institucioni ka mbetur pas zhvillimeve, përderisa vetë drejtuesja rezulton e përfshirë në funksion të aktiviteteve kriminale, duke e lënë vendin të pambrojtur ndaj rreziqeve. Pasojat bëhen edhe më të rënda kur titullari i këtij shërbimi ka autoritetin për të kompromentuar të gjithë sistemin e sigurisë, duke pasur fuqinë të ndërpresë rrjedhën e informacionit ose të bashkëpunojë me krimin e organizuar. Kjo përfshin bllokimin e të dhënave për zbulimin dhe gjurmimin e kërcënimeve në kufijtë tokësorë, detarë e ajrorë, si dhe kontrollin e flukseve doganore, duke cenuar drejtpërdrejt interesat ekonomike dhe sigurinë e tregut kombëtar. Më tej, kjo krizë ka nxjerrë në pah një dimension edhe më shqetësues: lidhjet kriminale të koordinuara mes kupolës së SHISH-it dhe asaj të Policisë së Shtetit. Kjo dëshmon se korrupsioni dhe partneriteti me krimin e organizuar rrezikojnë të jenë shndërruar në sistem brenda institucioneve kyçe të sigurisë. Në përgjigje të kësaj situate kritike, është mbledhur Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Mbetet për t'u uruar që ky takim të mos ketë qenë thjesht një procedurë burokratike për çështje kaq madhore që prekin efiçencën e shërbimit sekret dhe mbrojtjen e vendit. Përtej mbledhjeve institucionale, dëmi më i madh konsiston në humbjen e besimit të partnerëve ndërkombëtarë dhe shërbimeve aleate ndaj shtetit shqiptar. Është tejet e vështirë që partnerët të ruajnë besimin kur konstatojnë se dokumentet sekrete dhe operacionet e inteligjencës ndahen me individë apo grupe të inkriminuara. Në fund të fundit, ky degradim institucional ka rrënjë të thella që nisin që nga vetë procedurat e përzgjedhjes dhe emërimit të drejtuesve të lartë të këtij institucioni jetik për sigurinë kombëtare.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar