Politikë
Kryeministri bullgar apelon për bisedime me Moskën: Evropa duhet të shmangë katastrofën bërthamore
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri bullgar, Rumen Radev, ka theksuar nevojën urgjente që kontienti evropian të nisë dialogun diplomatik me Rusinë, me qëllim parandalimin e një sulmi të mundshëm bërthamor dhe arritjen e paqes në Ukrainë. Gjatë fjalës së tij në Samitin e Mbrojtjes të Euronews, ai paralajmëroi se pasojat e një përshkallëzimi të mëtejshëm mund të jenë fatale.
Duke analizuar kapacitetet ushtarake në nivel global, Radev kujtoi se Rusia zotëron arsenalin më të madh bërthamor në botë, i cili llogaritet në rreth 4,400 koka bërthamore, ku 1,796 prej tyre janë të pozicionuara në baza strategjike. Për këtë arsye, ai e vuri theksin te domosdoshmëria e hapjes së kanaleve të komunikimit.
Kreu i qeverisë bullgare kritikoi gjithashtu politikën aktuale të Bashkimit Evropian për dërgimin e vazhdueshëm të armëve dhe municioneve në Ukrainë, duke e cilësuar këtë qasje të “paqes me forcë” si një strategji të dështuar. Sipas tij, furnizimi i pakufizuar me armatim nuk është zgjidhje afatgjatë, pasi vendosja përfundimtare e paqes arrihet ekskluzivisht përmes diplomacisë.
I pyetur mbi rreziqet ekzistuese, Radev u shpreh se në situata të tilla duhet pasur parasysh gjithmonë skenari më i zymtë. Ai ngriti shqetësimin se aktualisht liderët evropianë po tentojnë të arrijnë një fitore konvencionale ndaj një superfuqie bërthamore, pa e vlerësuar siç duhet rrezikun real të përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë.
Duke iu referuar deklaratave të fundit të shefit të diplomacisë ruse, Sergei Lavrov – i cili paralajmëroi se një konflikt mes Rusisë dhe Evropës do të ishte “shumë i shkurtër” dhe “krejtësisht ndryshe” – kryeministri bullgar e cilësoi këtë si një kërcënim implicit, megjithëse dënoi retorikën e tillë nga Kremlini.
Tensionet gjeopolitike janë intesifikuar ndjeshëm, ndërkohë që Moska dyshohet se ka shtuar sulmet hibride ndaj shteteve evropiane për të krijuar panik dhe për të dobësuar mbështetjen ushtarake ndaj Ukrainës. Radev përfundoi duke theksuar se karta bërthamore mbetet një rrezik real që nuk mund të shpërfillet, veçanërisht nëse Rusia ndihet e bllokuar apo e dobësuar.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: