Politikë
Tensione në Komisionin për Legjislacion: Deputetët e PDK-së braktisin mbledhjen
Reklamë e Sponsorizuar
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion është shoqëruar me debate të ashpra, të cilat kanë kulmuar me largimin e përfaqësuesve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Shkak i këtij vendimi është bërë mosfutja në rendin e ditës e Projektligjit për ndryshim dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Deputetja e kësaj partie, Blerta Deliu-Kodra, ka shprehur pakënaqësi të thellë ndaj mënyrës se si është drejtuar mbledhja, duke e cilësuar si jo serioze trajtimin e gjashtë pikave të tjera aktuale ndërkohë që çështja e Speciales është lënë pas dorë. Ajo ka theksuar se për PDK-në ky projektligj mbetet prioritet absolut në rrethanat aktuale.
"Dhe për mua është krejtësisht joserioze që të ftohet komisioni për legjislacion dhe të trajtojmë sot gjashtë pika të rendit të ditës e të mos jetë i përfshirë ligji për Dhomat e Specializuara. PDK konsideron që në këto rrethana nuk ka prioritet më të madh. Ne bashkë me zotëri Grudën nuk do të qëndrojmë në mbledhjen e komisionit, dhe pas diskutimit të zotëri Gruda do të lëshojmë mbledhjen", u shpreh Deliu-Kodra.
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe deputeti Përparim Gruda, i cili ka vlerësuar se Projektligji për Specialen ka një rëndësi të veçantë. Ai ka ngritur shqetësimin se anëtarët e komisionit nuk mund të kenë qartësi të plotë mbi atë se çfarë pritet të miratohet gjatë kësaj seance.
Ndërkohë, mësohet se këtij bojkotimi të mbledhjes pritet t'i bashkohen edhe përfaqësuesit e Aleancës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: