Kronikë
Diplomacia e buzëqeshjes: Si bashkëshortja e Xi Jinping u shndërrua në “armën e fuqisë së butë” të Kinës në Uashington
Reklamë e Sponsorizuar
Bashkëshortja e Presidentit kinez Xi Jinping, Peng Liyuan, ka luajtur një rol kyç gjatë vizitës së kreut të shtetit në Uashington, duke shërbyer si një urë lidhëse për të përcjellë një imazh më të ngrohtë dhe më të afërt të Pekinit. Kjo vizitë vjen në një periudhë kur raportet dypalëshe mes dy superfuqive janë tensionuar ndjeshëm për shkak të mosmarrëveshjeve në fushën e tregtisë, inteligjencës artificiale dhe çështjes së ndjeshme të Tajvanit.
Gjatë qëndrimit në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, Peng zhvilloi një bisedë në gjuhën angleze me Zonjën e Parë amerikane, Melania Trump, pa pasur nevojë për ndihmën e një përkthyesi. Ajo u bë pjesë e një ngjarjeje kulturore ku një kor fëmijësh interpretoi për të melodinë tradicionale kineze “Lulja e Jaseminit”. Në përfundim të performancës, fëmijët e pritën me thirrjet: “Faleminderit, Nënë Peng!”.
E veshur me një stil modern të kostumeve tradicionale kineze, Peng ndoqi dhe duartrokiti interpretimin e të rinjve në Muzeun Kombëtar të Artit Aziatik Smithsonian në Uashington. Prania e saj u vlerësuar nga agjencia e lajmeve Reuters si një manifestim i qartë i “fuqisë së butë” të Kinës, e cila synon të zbutë tensionet diplomatike përmes njerëzores.
Ambasadorja kineze në SHBA, Xie Feng, ndau në platformën X një sekuencë video nga ky organizim, duke theksuar angazhimin e Peng e cila nxiti adoleshentët amerikanë që të vazhdojnë studimet në gjuhën dhe kulturën kineze, duke u shndërruar kështu në “ambasadorë të miqësisë” mes dy vendeve.
Analisti gjeopolitik i kompanisë konsulente Trivium China me seli në Pekin, Joe Mazur, vlerësoi se Peng i jep një fytyrë më njerëzore një diplomacie që shpesh paraqitet e ngurtë, duke prodhuar momente pozitive në marrëdhëniet kino-amerikane. Pavarësisht kësaj pritjeje në SHBA, aktivitetet dhe stili i saj i veshjes morën hapësirë më të kufizuar në rrjetet sociale kineze, për shkak të ndjeshmërisë së lartë që ekziston rreth jetës private të udhëheqësve kryesorë të vendit.
Në traditën politike të Kinës, gratë e liderëve të lartë kanë ruajtur zakonisht një profil të tërhequr. Kjo qasje lidhet edhe me kujtimet historike të lidhura me Chiang Ching, bashkëshorten e Mao Ce Dunit dhe një ndër figurat kryesore të “Bandës së të Katërve”, e cila ushtroi pushtet të madh gjatë Revolucionit Kulturor.
Chiang Ching u dënua me vdekje në vitin 1981 për shkak të përfshirjes në persekutimet e atyre viteve, ndonëse më vonë ky dënim u zbut.
Ndryshe nga paraardhëset, Peng Liyuan gëzonte famë të madhe në Kinë shumë kohë para se Xi Jinping të ngjitej në majat e politikës. Ajo është një soprano e njohur dhe këngëtare e shquar, e cila ka mbajtur edhe statusin e interpretueses ushtarake.
Me ngritjen e Xi-t në hierarki gjatë viteve 2000, mediat vendase nisën t'i kushtojnë hapësirë më të madhe daljeve të saj publike. Në një rrëfim për një revistë shtetërore në vitin 2007, ajo e cilësojë marrëdhënien e tyre në rrafshin familjar, duke thënë se kur ai kthehej në shtëpi, ajo shihte thjesht bashkëshortin e saj e jo një udhëheqës shteti.
Peng ka dhënë kontribut edhe në fushën e bamirësisë dhe kauza sociale, duke përfshirë fushatat ndërgjegjësuese për personat që bashkëjetojnë me HIV/AIDS.
Ajo është bashkëshortja e dytë e Presidentit Xi Jinping, me të cilin ka një vajzë që ka përfunduar studimet në Universitetin e Harvardit. Kreu i shtetit kinez ka qenë i martuar më parë me vajzën e një diplomati të njohur.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: