Aktuale
Kujtimet e dhimbshme të djalit të dëshmorit Xhavit Haziri: Isha vetëm 6 vjeç kur e pashë për herë të fundit
Reklamë e Sponsorizuar
Çlirim Haziri, i biri i dëshmorit të kombit Xhavit Haziri, ka ndarë rrëfimin e tij emocional lidhur me kujtimet e pakta që ka nga i ati, fshirë nëpër mjegullën e fëmijërisë së hershme dhe mungesës së gjatë.
Sipas rrëfimit të tij, ai ka qenë vetëm gjashtë vjeç në takimin e fundit me të atin, ngjarje kjo e zhvilluar në shtëpinë e familjes në lagjen Kodra e Trimave. Ai ka treguar se prania e të atit në jetën e tij ka qenë e kufizuar, pasi ai lëvizte fshehurazi, duke ardhur kryesisht natën dhe duke u larguar në agim.
“Unë i kam pasë 6 vjet, për herë të fundit kur e kam taku ka qenë në shtëpi. Ne kemi jetuar në Kodrën e Trimave, edhe babi zakonisht ka ardhë natën dhe ka dalë në mëngjes herët. Ka qenë në jetën time një njeri që e kam takuar rrallë. Nuk e mbaj mend shumë, e mbaj mend pak. Ka momente shumë pak që i kujtoj. Prej 17 shtatorit 1998 ka pasur dëshmitarë se si ka ndodhur rasti, mirëpo nuk dimë kurrgjë më për të. Normal që menjëherë pas luftës njerëzit kanë pasur tregime, kanë thënë që mundet me qenë diku, por me kalimin e kohës qito më nuk ekzistojnë”, ka deklaruar Haziri.
Edhe pse vitet kanë kaluar, familja vazhdon të mbetet në ankthin e pritjes, ndërsa vetë Çlirimi pohon se ende ushqen shpresën për të zbardhur fatin e babait të tij.
“Ne jemi në pritje. Unë i kam 35 vjet dhe mendoj e shpresoj që diku mundet me qenë. Ndoshta kur jeta të trajton më ndryshe, edhe rritesh pak më ndryshe. Rritesh me një mungesë, edhe e kalon shumicën e jetës në pritje të drejtësisë. Krijon imunitet ndaj padrejtësisë, dhe kjo pak na dallon”, u shpreh ai.
Në rrëfimin e tij, Haziri theksoi gjithashtu se mbështetjen morale dhe forcën e brendshme për t'i bërë ballë sfidave të jetës i ka gjetur gjithmonë tek idealet dhe vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Forcën në çdo situatë e gjej te Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Kështu edhe në jetën time, edhe gjatë aktiviteteve të ndryshme në jetë, edhe gjatë sfidave në jetë që i kam kaluar, prehjen e kam gjet te një organizim, te një triumf i UÇK-së”, përfundoi Haziri.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: