Politikë
Kosova përfaqësohet në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë në Bruksel
Reklamë e Sponsorizuar
Një delegacion i Kuvendit të Republikës së Kosovës po merr pjesë në punimet e sesionit të 38-të të Asamblesë Rajonale për Evropën, pjesë e Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë (APF), që po zhvillohet në Bruksel. Këtë vit, ngjarja po zhvillohet nën moton “Evropa, përmes vlerave, gjuhëve dhe kulturave”.
Në këtë vizitë zyrtare, Kuvendi i Kosovës përfaqësohet nga deputeti Nezir Kraki, i cili kryeson delegacionin, dhe deputetja Eliza Hoxha, në cilësinë e anëtares.
Axhenda e këtij sesioni ka nisur me takimin e kryetarëve të seksioneve evropiane të APF-së, ndërkohë që për të enjten është planifikuar mbajtja e seancës plenare në ambientet e Parlamentit Evropian.
Diskutimet do të vijojnë më 20 nëntor në Parlamentin e Federatës Wallonie-Bruxelles. Kjo ditë do t'i kushtohet shënimit të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijës, ku fokusi kryesor i debatit do të jetë mbi “Mekanizmat e solidaritetit në Evropë”.
Qëllimi kryesor i Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë është nxitja e dialogut ndërparlamentar, shkëmbimi i praktikave më të mira dhe thellimi i bashkëpunimit mes seksioneve evropiane, duke vënë theksin te vlerat e përbashkëta dhe pasuria e diversitetit gjuhësor e kulturor.
Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës gëzon statusin e anëtarit të asociuar në këtë organizatë ndërkombëtare, status ky që i mundëson të drejtën e votës në vendimmarrjet e saj.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: