Sport
Futboll apo vaterpolo? Gjermanët të shokuar nga kushtet skandaloze në Rijekë
Reklamë e Sponsorizuar
Kombëtarja U-21 e Kroacisë ka regjistruar një fitore dramatike ndaj Gjermanisë me rezultatin 3:2, në një përballje miqësore të zhvilluar të martën në stadiumin “Rujevica” të Rijekës. Nën drejtimin e përzgjedhësit Ivica Oliç, kroatët arritën të përmbysin rezultatin, ndonëse sfida u zhvillua në kushte tejet ekstreme atmosferike.
Reshjet e dendura të shiut dhe mjegulla e trashë e shndërruan fushën e lojës në një terren të papërshtatshëm për futboll, duke vështirësuar dukshëm lëvizjen e topit dhe lojtarëve. Kjo situatë ka shkaktuar reagime të ashpra nga pala gjermane, e cila nuk e fshehu habinë për zhvillimin e ndeshjes në të tilla rrethana.
E përditshmja prestigjioze gjermane ‘Kicker’ e përshkroi ndeshjen si një “betejë në baltë”, duke theksuar se futbollistët gjermanë u detyruan të adaptohen në një mjedis që i ngjante më shumë një fushe vaterpoli sesa një arene futbolli. Sipas tyre, në Gjermani një sfidë e tillë do të ishte anuluar që në start.
Sulmuesi Max Moerstedt, autor i golit të barazimit në minutën e 53-të, pranoi se nuk kishte përjetuar kurrë më parë diçka të ngjashme. “Kushtet ishin larg normales. Në Gjermani nuk do të kishim dalë fare në fushë. Gjithçka u shndërrua në një luftë për topa të gjatë dhe duele fizike”, deklaroi ai për faqen zyrtare të Federatës Gjermane.
Kapiteni Joshua Quarshie vlerësoi se skuadra e tij dështoi të përshtatej në kohë me kushtet e rënduara. “Ajo që luajtëm nuk ishte futboll i mirëfilltë. Kroacia diti t’i shfrytëzojë më mirë topat e lirë dhe kjo ishte diferenca kryesore në këtë përballje”, u shpreh ai.
Përzgjedhësi gjerman, Antonio Di Salvo, e cilësoi ndeshjen si një “lojë fati”, duke shtuar se nëse do të ishte një ndeshje zyrtare, arbitri do të duhej ta ndërpriste atë. “Ishte thjesht një test karakteri. Kroacia ishte më e shkathët në menaxhimin e rastet e krijuara në atë baltë”, tha Di Salvo.
Ironia më e madhe erdhi nga drejtori ekzekutiv i Federatës Gjermane, Andreas Rettig, i cili gjatë pushimit të ndeshjes nuk nguroi të bënte një shaka të hidhur. “Shihet qartë se Kroacia është një komb i shkëlqyer i vaterpolit”, deklaroi ai për televizionin ProSieben Maxx, duke reflektuar zhgënjimin gjerman për kushtet në stadiumin “Rujevica”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: