Aktuale
Përballja e madhe në Duseldorf: Boksieri shqiptar Nelson Hysa lëshon paralajmërimin e fortë për gjermanin Agit Kabayel
Reklamë e Sponsorizuar
Gjithçka është gati për spektaklin e peshave të rënda në kategorinë WBC mes boksierit gjerman Agit Kabayel dhe atij shqiptar, Nelson Hysa. Kjo sfidë e madhe do të ngrisë siparin më 28 nëntor në qytetin e Duseldorfit, duke përkuar me një datë historike dhe shumë domethënëse për kombin shqiptar, Ditën e Pavarësisë.
Në prag të këtij eventi madhështor, boksieri kuqezi ka ndarë me ndjekësit e tij disa mendime rreth këtij rrugëtimi sfidues, duke vënë theksin te puna e palodhur. “Pas çdo momenti të madh që shihet në ring, fshihet një rrugëtim i gjatë që pak kush e njeh nga afër. Ditë të tëra stërvitjeje, sakrifice, disipline dhe larg familjes e vendit tim. Çdo ditë në këtë kamp ka pasur një qëllim të vetëm: të përgatitem sa më mirë për sfidën më të madhe të karrierës sime”, ka shkruar Hysa.
Më tej, përmes një postimi në platformat digjitale, atleti shqiptar i ka dërguar një mesazh të qartë kundërshtarit të tij, i cili numëron 25 fitore dhe asnjë humbje në karrierë, ku 92% e triumfeve të tij janë arritur me nokaut. Duke iu referuar këtyre shifrave, Hysa ka treguar besimin e tij të plotë para duelit.
“92% përqindje nokauti. Disa njerëz e çojnë ndeshjen deri në fund. Unë preferoj t’i mbyll gjërat shpejt. Shifrat nuk gënjejnë”, u shpreh Hysa, duke shtuar se ky duel kërkon më shumë se thjesht muskuj: “Nuk është thjesht çështje force fizike, por karakteri, përkushtimi dhe besimi në ëndrrën që ndjek”.
Në mbyllje të mesazhit të tij mobilizues, boksieri shqiptar ka garantuar se nuk do të jetë i vetëm mes litarëve të ringut gjerman. “Më 28 nëntor nuk do të jem vetëm në ring. Do të mbaj mbi supe krenarinë e një kombi dhe flamurin që më ka shoqëruar në çdo hap të këtij rrugëtimi. Një ëndërr. Një flamur. Një histori për t’u shkruar! Më 28 nëntor le të bëjmë histori”, përfundoi ai.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: