Kronikë
Zbardhet dinamika e rastit të Arlinda Zekajt: Nis intervistimi i dëshmitarëve me dyer të mbyllura
Reklamë e Sponsorizuar
Ka nisur zyrtarisht puna e Komisionit Hetimor Parlamentar të ngritur për zbardhjen e rrethanave të vrasjes së Arlinda Zekajt, seancë kjo ku është paraparë marrja në pyetje e disa zyrtarëve të lartë institucionalë dhe përfaqësuesve të Qendrës për Punë Sociale në Pejë.
Nën drejtimin e kryetarit të këtij komisioni, Burim Ramadani, trupa parlamentare pritet të dëgjojë dëshmitë kyçe të Toska Gegës, Durim Kelmendit, Shpat Morinës, Shpresa Lukajt, si dhe të kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Megjithatë, fillimi i punimeve është shoqëruar me tensione dhe përplasje verbale mes deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, dhe anëtarit të komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Armend Baloku.
Debati i ashpër u nxit nga shqetësimet e ngritura rreth një konflikti të mundshëm interesi të ekspertit Skender Kandiq, duke u bazuar në angazhimet e tij të mëparshme profesionale në Qendrën për Punë Sociale.
Deputeti Eman Rrahmani ishte ai që kërkoi sqarime publike nga Kandiq mbi të kaluarën e tij institucionale, me qëllim që të evitohet çdo lloj ndikimi ose situate të papërshtatshme gjatë këtij procesi hetimor.
Rrahmani kërkoi nga eksperti që të deklarojë qartësisht çdo lidhje të mundshme me këtë institucion, për të garantuar integritetin e punës së komisionit.
“Sa i përket ekspertëve, ne kemi votuar në mbledhjen e fundit edhe një ekspert tjetër. Ai është votuar në mbledhjen e fundit të këtij komisioni. Nga eksperti Skender Kandiq do të kërkoja të deklarojë nëse ka konflikt interesi në këtë komision, për shkak se ai ka qenë pjesë e Qendrës për Punë Sociale. Do të ishte mirë të na njoftonte për punën dhe angazhimin e tij para se të fillojmë këtë proces, në mënyrë që të mos vijmë në një situatë të papërshtatshme gjatë punës së komisionit”, ka theksuar Rrahmani.
Gjithashtu, Rrahmani ka kërkuar që eksperti të japë detaje për periudhën gjatë së cilës ka qenë i angazhuar në QPS dhe për funksionet që ka ushtruar.
“Na tregoni për aktivitetin tuaj, periudhën kur keni qenë i angazhuar dhe ku keni punuar deri në periudhën e fundit”, ka theksuar Rrahmani.
Në përgjigjen e tij, Skender Kandiq ka bërë të infromuar se ka shërbyer në Qendrën për Punë Sociale për një periudhë 17-vjeçare para luftës, ndërsa në periudhën e pasluftës ka mbajtur pozitën e drejtorit në Spitalin Rajonal të Shëndetit Mendor deri në daljen e tij në pension.
Eksperti ka hedhur poshtë çdo pretendim për konflikt interesi, duke nënvizuar se pas konfliktit të armatosur nuk ka pasur asnjë bashkëpunim apo kontakt me QPS-në e Pejës.
“Para luftës kam punuar në Qendrën për Punë Sociale për 17 vjet. Pas luftës kam qenë drejtor i Spitalit Rajonal të Shëndetit Mendor deri në pensionim. Në QPS pas luftës nuk kam pasur asnjë kontakt, pra në QPS në Pejë. Nuk kam asnjë konflikt interesi”, ka deklaruar Kandiq.
Ky komision hetimor vazhdon të hetojë në detaje çdo veprim dhe mosveprim të mundshëm të institucioneve përgjegjëse lidhur me ngjarjen tragjike të vrasjes së Arlinda Zekajt.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: