Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Aktuale

Urtësia dhe shpirtësia në fokus: Çfarë e bën të veçantë romanin “Shpresa për jetë” të Metin Izetit

Redaksia Lajmetereja • 18-11-2026 09:02
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Urtësia dhe shpirtësia në fokus: Çfarë e bën të veçantë romanin “Shpresa për jetë” të Metin Izetit
Prof. Dr. Metin Izeti vjen me një qasje të veçantë letrare në veprën e tij, duke vendosur në qendër të rrëfimit figura tetovare të shkolluara dhe intelektuale, si Ibrahimi, Drita, Valoni, Shpresa, Mehmetrizai, Hadiu – me rrënjë nga fshati i Bozovcës – si dhe i fejuari i Shpresës, Vegimi, i cili jeton dhe ndjek studimet në Universitetin e Tübingenit në Gjermani, një ndër qendrat evropiane më piktoreske dhe më të njohura, e përshkuar nga lumi i bukur Nekar, ku një e treta e banorëve përbëhet nga studentë. Ngjarjet dhe vendndodhjet e romanit shtrihen në tre rajone kryesore të Tetovës: nga Balltepe dhe Kalaja e qytetit, te fshati i thellë i Bozovcës, e deri te shtëpitë e Ibrahimit e Mehmetrizait dhe banesa e Vegimit në Tübingen. Karakteristika kryesore e romanit “Shpresë për jetë” qëndron te fakti se personazhet nuk merren me realitetin e ngarkuar politik, ekonomik apo shoqëror të kësaj bote kalimtare. Përkundrazi, përmes qasjes së mendimtarëve mistikë si Mevlana Xhelaludin Rumi dhe Ibn Arabi, ata përpiqen të rikthehen te burimi i së vërtetës. Nëpërmjet dialogjeve të mbushura me urti, vepra e Metin Izetit kapërcen kufijtë e tri gjinive tradicionale letrare: lirikës, epikës dhe dramatikës. Kjo përbën një formë të veçantë krijimtarie, një frymë dhe qëllim që ndërthur gjini të ndryshme. Është një roman urtësie që mbart një të vërtetë të thellë morale e shpirtërore, të ngjashme me mesazhet e pranishme në Kur'an dhe Bibël. Në fushën e teorisë letrare, kjo njihet si letërsi e urtësisë. Faqeve të romanit i shtohen thënie të shkurtra dhe domethënëse nga Rumi, Ibn Arabi e të tjerë, të cilat pëupbledhin një përvojë të gjerë jetësore dhe shpirtërore, duke nxitur reflektimin e botës së brendshme për të njohur veten dhe jo të tjerët, si dhe për të udhëtuar drejt origjinës së shpirtit dhe te Zoti. Nën petkun e personazheve të mençur e të ngritur, autori nuk synon bukurinë e jashtme artistike, por përjetimin e brendshëm të gjendjeve. Jeta nuk duhet jetuar vetëm sipërfaqësisht, por e përjetuar thellësisht. Kuptimi i jetës është njohja e vetvetes, e krijimit, e origjinës, e së vërtetës dhe e Zotit. Ndërsa letërsia artistike synon të bukurën, letërsia e urtësisë kërkon të vërtetën dhe ndihmon njeriun të jetojë më mirë. Vepra e prof. Metin Izetit vendoset pikërisht në udhëkryqin mes letërsisë, filozofisë dhe fesë. “Shpresë për jetë” është një lexim që i shërben njeriut për të qenë i mirë dhe i lumtur, duke shmangur grackën e të qenit thjesht i bukur por i pikëlluar. Më poshtë janë sjellë disa nga fragmentet më kuptimplota të shkëputura nga ky roman: "Dhe ndërsa mendja i endej tek i dashuri Vegimi, ajo kujtoi se si ai i kishte thënë një herë: 'Njeriu i lashtë ndërtonte tempuj sepse shihte hyjninë në gjithçka; njeriu modern ndërtonte qendra tregtare sepse i sheh të gjitha si mall.'" – Romani "Shpresa për jetë", fq. 15. "Bija ime, njeriu modern është si një kalorës që ka humbur kalin, ai ecën në këmbë dhe mendon se përparon, por në të vërtetë ka humbur shpejtësinë e shpirtit." – Fq. 20. "Stuhia nuk i pyet pemët nëse jeni gati. Ajo vjen thjesht. Dhe pemët që mbijetojnë nuk janë ato më të mëdhatë, por ato që kanë rrënjët më të thella. Prandaj mos u mundo të jesh i madh - mundohu të jesh i thellë." – Fq. 51. "Zbrazëtia është formë, forma është zbrazëti." – Fq. 63-64. "Ajo më ka mësuar mua se shtëpia nuk është një vend gjeografik. Shtëpia është një gjendje shpirtërore." – Fq. 85. "Ti je mësuar të mendosh gjithçka. Unë jam mësuar të ndiej gjithçka. Ndoshta kjo është arsyeja pse jemi të mirë bashkë - ti mendon atë që unë ndiej, dhe unë ndiej atë që ti mendon." – Fq. 89. "Shpresa ime e ëmbël, ...,Ti më ke mësuar se feja nuk është një ideologji, por një gjendje. Se besimi nuk është një përgjigje, por një rrugë. Se dashuria nuk është një ndjenjë, por një vendim që merret çdo mëngjes." – Fq. 92.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar