Aktuale
E ardhmja e Alejandro Baldes në dyshim, Barcelona pret ofertën e duhur në janar
Reklamë e Sponsorizuar
Klubi i Barcelonës mbetet në pritje të një propozimi zyrtar financiar për mbrojtësin e majtë Alejandro Balde, para se të marrë një vendim përfundimtar mbi shitjen e tij të mundshme gjatë merkatos së dimrit.
Sipas informacioneve nga Spanja, fati i 22-vjeçarit varet drejtpërdrejt nga strategjia e katalunasve për të blinduar mbrojtjen, me trajnerin Hansi Flick që e ka vendosur transferimin e një qendërmbrojtësi në krye të prioriteteve për afatin kalimtar të janarit.
Megjithë zërat e shumtë rreth fatit të tij sportiv, drejtuesit e klubit blaugrana nuk kanë regjistruar ende ndonjë ofertë konkrete në zyrat e tyre për shërbimet e lojtarit.
Në anën tjetër, përfaqësuesi ligjor i futbollistit, Jorge Mendes, po analizon opsionet e mundshme për të ardhmen e klientit të tij dhe pritet të njohë drejtuesit e klubit me ecurinë e bisedimeve.
Mes skuadrave që kanë shfaqur interesim konkret për mbrojtësin e kombëtares spanjolle është edhe gjiganti italian, Juventus. Burimet bëjnë me dije se bardhezinjtë po studiojnë formulën e një huazimi gjashtëmujor, pa detyrim blerjeje në fund të sezonit.
Tekniku Luciano Spalletti kërkon me ngulm opsione të reja në krahun e majtë të prapavijës, ndërsa Balde udhëheq listën e preferencave, duke lënë pas emra të tjerë si Rayan Ait-Nouri dhe Destiny Udogie.
Pavarësisht kësaj, kjo formulë nuk përkon me linjën zyrtare të Barcelonës, e cila insiston te një shitje përfshirëse me të ardhura të menjëhershme dhe refuzon skenarin e huazimit.
Krerët e klubit spanjoll e llogarisin kartonin e Baldes rreth 40 milionë euro, një shifër kjo që mund të rezultojë e vështirë për t'u paguar, sidomos duke marrë parasysh hapësirat e tij të pakta në fushë gjatë këtij edicioni.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: