Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Sport

Goditje ndërkombëtare kundër terrorizmit: Arrestohen pesë persona në Maqedoninë e Veriut që dyshohet se planifikonin sulme jashtë vendit

Redaksia Lajmetereja • 17-11-2026 13:22
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Goditje ndërkombëtare kundër terrorizmit: Arrestohen pesë persona në Maqedoninë e Veriut që dyshohet se planifikonin sulme jashtë vendit
Një operacion i gjerë dhe i koordinuar antiterrorist, i ndërmarrë nga Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Sigurisë Kombëtare të Maqedonisë së Veriut dhe partnerët ndërkombëtarë, ka rezultuar me prangosjen e pesë personave. Sipas të dhënavë zyrtare nga autoritetet, të dyshuarit kishin thurur plane për të ndërmarrë një sulm terrorist jashtë kufijve të vendit. Në fokus të hetimeve janë gjithsej gjashtë shtetas të Maqedonisë së Veriut, të moshës nga 29 deri në 73 vjeç, me origjinë nga qytetet e Shkupit dhe Kumanovës. Der më tani, organet kompetente nuk kanë publikuar përkatësinë etnike të të dyshuarve, duke mos dhënë detaje nëse ata janë shqiptarë apo maqedonas etnikë. Sipas komunikatës zyrtare të MPB-së, të dhënat e para rreth aktiviteteve të dyshimta u siguruan nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare nëpërmjet kanaleve të bashkëpunimit ndërkombëtar. Pas një pune operative hetimore, aksioni u jetësua nga njësitë e specializuara të policisë, ku mbështetje kyçe dha edhe Njësia Speciale Antiterroriste “Tigrat”. Në bazë të urdhëresës së lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake, autoritetet bastisën katër lokacione të ndryshme, duke arrestuar katër prej të dyshuarve. Ndërkohë, personi i pestë u kap në Greqi dhe iu dorëzua forcave të rendit të Maqedonisë së Veriut, ndërsa për të gjashtin, i cili dyshohet se gjendet jashtë shtetit, vijojnë kërkimet intensive për kapjen e tij. Gjatë kontrolleve në terren, policia ka sekuestruar një sërë provash materiale, përfshirë aparate celulare, laptopë, kompjuterë, mjete ruajtjeje USB, bllok shënimesh me kontakte, një skicë me një pikë të shënuar, si dhe armë zjarri e municione, një pjesë e të cilave mbaheshin pa lejen përkatëse. Nga hetimet e deritanishme, MPB bën të ditur se janë zbuluar lidhje të ndërsjella mes të dyshuarve, si dhe kontakte me shtetas të huaj, përfshirë individë të lidhur me të ashtuquajturat rrjete “proxy” – struktura ndërmjetëse që shërbejnë për të vepruar në emër ose në interes të aktorëve të tretë. Synimi i tyre ishte kryerja e një akti terrorist kundër një caku në territorin e një shteti tjetër. Për këtë rast është vënë në dijeni Prokuroria kompetente, ndërsa ndaj pesë të ndaluarve janë caktuar masat e sigurisë nga gjyqtari i procedurës paraprake, pas përfundimit të procedurave ligjore. Ky operacion përbën vazhdimësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet MPB-së dhe Agjencisë së Sigurisë Kombëtare. Prej fundit të vitit 2024 e deri më sot, në bashkërendim me këtë agjenci, policia ka ndërhyrë në 10 raste të ndryshme, duke përfshirë gjithsej 22 persona. Krahas tyre, janë trajtuar edhe dy raste specifike ndaj dy individëve për veprën penale të tentativës për pjesëmarrje në ushtri, polici apo formacione paraushtarake dhe parapolicore të huaja. Në përfundim, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare ritheksuan se do të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë me Prokurorinë dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim parandalimin dhe goditjen në kohë të çdo rreziku që cënon sigurinë kombëtare dhe atë rajonale.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar