Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Kronikë

Kritika të ashpra për Gjykatën Speciale: Pse Thaçi u dënua me 12 vite më shumë se Shesheli?

Redaksia Lajmetereja • 17-11-2026 13:21
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Kritika të ashpra për Gjykatën Speciale: Pse Thaçi u dënua me 12 vite më shumë se Shesheli?
Përfaqësuesi i platformës “Liria ka emër”, Çlirim Haziri, ka drejtuar akuza të rënda ndaj Gjykatës Speciale në Hagë, duke e fshikulluar atë për aplikimin e standardeve të dyfishta gjatë procesit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas tij, reagimet dhe angazhimet publike rreth kësaj çështjeje nuk synojnë pengimin e drejtësisë, përkundrazi, ato mbrojnë parimet e saj themelore. Haziri ka vënë në pah kontrastin e madh ndërmjet dënimit të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe atij të nacionalistit serb, Vojislav Sheshel. “Drejtësia nuk mund të jetë selektive dhe as të zbatohet me standarde të ndryshme, varësisht nga historia apo kombësia. Rasti i Hashim Thaçit dhe të tjerëve ka ngritur shqetësime serioze për respektimin e të drejtave themelore të njeriut”, është shprehur ai. Duke sjellë në vëmendje të kaluarën e Sheshelit, Haziri ka shtuar: “Të gjithë ne e njohim kriminelin Vojislav Sheshel, i cili kreu krime të tmerrshme ndaj popullatës civile. Ai u dënua me 10 vjet burgim nga Gjykata e Hagës. Ai pati edhe raste të tjera për pengim të drejtësisë, për të cilat u dënua me 15 muaj burgim, dy vjet më pak se Thaçi, në rastin e dytë me 18 muaj, ndërsa në të tretin me dy vjet”, duke bërë me dije se në fund, Hashim Thaçi është ndëshkuar me 12 vite më shumë se Shesheli. Ai ka theksuar se nuk po kërkohet asnjë lloj privilegji, por ka paralajmëruar se veprime të caktuara, përfshirë edhe intonimin e një kënge nacionaliste në hapjen e Forumit për Zgjerim në Bruksel, po ndërtojnë një imazh të rrezikshëm për Kosovën. “Ne kërkojmë drejtësi të paanshme. Një pyetje thelbësore për BE-në është: Si është e mundur që, pas gjithë përvojës së UNMIK-ut, EULEX-it dhe Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ish-ushtarët e Kosovës përballen me standarde të ndryshme të trajtimit gjyqësor dhe me dënime që, në raste të krahasueshme, tejkalojnë ato të shqiptuara ndaj udhëheqësve politikë e ushtarakë të regjimit të Millosheviqit?”, ka përfunduar Haziri.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar