Aktuale
Real Madridi merr frymë lirshëm: Kylian Mbappe i shmanget operacionit, por rrezikon sfidën e radhës
Reklamë e Sponsorizuar
Kylian Mbappe i ka shpëtuar ndërhyrjes kirurgjikale në gjurin e majtë, mirëpo rikthimi i tij në fushat e blerta do të menaxhohet me kujdes të jashtëzakonshëm. Sulmuesi francez ka nisur tashmë procesin e rikuperimit dhe pritet të qëndrojë jashtë fushave për rreth 10 deri në 12 ditë.
Pas një dite stabilizimi, Mbappe ka filluar punën për rimëkëmbjen fizike të hënën në Valdebebas dhe e ka vazhduar atë edhe ditën e djeshme. Gjendja e tij shëndetësore paraqitet më e mirë sesa u frikësua në fashën e parë, pasi dëmtimi i pësuar gjatë grumbullimit me kombëtaren e Francës është reduktuar në një hiperekstension të kapsulës së pasme të gjurit të majtë.
Parashikimet fillestare tregojnë për një mungesë prej 10 deri në 12 ditësh, ndonëse situata mund të kishte marrë një kthesë shumë më dramatike.
Mbappe ndjeu shqetësime fizike pasi shënoi gol në përballjen mes Turqisë dhe Francës të premten e kaluar, ndërsa vendimi për të lënë fushën e lojës u tregua vendimtar. Sipas ekzaminimeve mjekësore, sikur ai të kishte vazhduar të luante, rreziku për një dëmtim tejet të rëndë në gju do të kishte qenë tejet i lartë, deri në atë shkallë sa mund t'i kishte kushtuar një pjesë të konsiderueshme të sezonit.
Në kampin e Real Madridit mbretëroi shqetësim i madh menjëherë pas marrjes së lajmit për dëmtimin. Klubi madrilen mbajti kontakte të vazhdueshme me stafin mjekësor të Federatës Franceze dhe, për një çast, u mor në konsideratë edhe opsioni i një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Megjithatë, kontrollet e mëvonshme dëshmuar se operacioni ishte i panevojshëm. Ky zhvillim përbën një lajm tejet pozitiv për Real Madridin, por drejtuesit dhe stafi nuk kanë ndërmend të ndërmarrin asnjë rrezik të panevojshëm me yllin e tyre. Mbappe do të rikthehet në aksion vetëm atëherë kur të jetë plotësisht i gatshëm.
Duke u bazuar në afatet e përcaktuara të rikuperimit, lojtari nga Franca mund të jetë i disponueshëm për ndeshjen e 10 tetorit kundër Villarrealit, në stadiumin “Santiago Bernabéu”. Pavarësisht kësaj, rikthimi i tij fusha në atë takim mbetet ende i diskutueshëm.
Dilema paraqitet e madhe për stafin teknik, pasi menjëherë pas ndeshjes me Villarrealin pason një kalendar me dy sfida tejet të rëndësishme: një udhëtim në Romë më 14 tetor dhe më pas superpërballja e “El Clásico” ndaj Barcelonës më 25 tetor.
Për këtë arsye, mënyra se si Mbappe do të riintegrohet në ritmin e ndeshjeve do të jetë përcaktuese. Në rast se stafi teknik vendos të mos ndërmarrë rreziqe me sulmuesin, Real Madridi ka në dispozicion disa alternativa për repartin ofensiv.
Një ndër opsionet më të spikatura është aktivizimi i Espit në vend të francezit. Megjithatë, trajneri Mourinho e sheh sulmuesin e Spanjës U-21 më shumë si një zgjedhje për pozicionin e qendërsulmuesit, veçanërisht në ndeshje që kërkojnë profil fizik për të përballuar prapavijat kundërshtare.
Tjetër mundësi reale mbetet Jude Bellingham, i cili mund të përshtatet në rolin e “false 9”, një detyrë që anglezi e ka interpretuar me sukses edhe në fazën e tij të parë nën drejtimin e Carlo Ancelottit.
Në një skenar të tillë, Arda Guler do të pozicionohej menjëherë pas sulmuesit, duke krijuar mundësinë që talenti turk të bashkëjetojë në të njëjtin formacion titullar me Diomanden në krahun e djathtë. Megjithatë, të gjitha këto skenare varen nga një faktor i vetëm: gjendja fizike e Mbappes.
Real Madridi nuk dëshiron të përsërisë skenarin e sezonit të kaluar, kur francezi luajti me probleme fizike derisa u detyrua të ndalej përfundimisht. Më pas, ai iu nënshtrua një trajtimi të specializuar te mjeku i njohur Bertrand Sonnery-Cottet, gjë që i mundësoi rikuperimin e plotë.
Kësaj radhe, mesazhi i përcjellë nga Madridi është i prerë: Mbappe do të kthehet në fushë vetëm kur të jetë në formën e tij maksimale prej 100%.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: