Politikë
Lehtësim i buxhetit familjar: Nga 1 janari 2027 ulen çmimet e dokumenteve identitare për disa kategori
Reklamë e Sponsorizuar
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka zyrtarizuar përmes një urdhri të ri uljen e tarifave për pajisjen me karta identiteti dhe pasaporta, masë kjo që synon t'u vijë në ndihmë shtresave në nevojë.
Ky vendim lehtësues do të nisë zbatimin zyrtar nga data 1 janar 2027 dhe fokusohet te tre grupe kryesore përfituese: të miturit nën moshën 16 vjeç, qytetarët mbi 65 vjeç, si dhe personat me aftësi të kufizuara.
Konkretisht, për fëmijët nën 16 vjeç, çmimi për pajisjen me pasaportë do të pësojë ulje nga 7,500 lekë që është aktualisht në 6,000 lekë.
Nga ana tjetër, për individët me aftësi të kufizuara, pajisja me kartë identiteti do të kushtojë 1,000 lekë nga 1,500 lekë që paguhet sot, ndërsa tarifa për pasaportën do të reduktohet në 6,000 lekë.
Po ashtu, ndryshime pozitive do të ketë edhe për pensionistët dhe qytetarët mbi 65 vjeç, të cilët do të përfitojnë ulje të çmimit të kartës së identitetit në 1,000 lekë, krahasuar me tarifën e deritanishme prej 1,500 lekësh.
Gjatë një deklarate publike më 2 tetor, ministri Demo e kishte paralajmëruar këtë hap, ndërsa tani ka konfirmuar se ky vendim përkon drejtpërdrejt me mbajtjen e fjalës së dhënë për uljen e barrës financiare të qytetarëve, duke shtuar se kjo duhet të ecë paralel me rritjen e cilësisë së shërbimeve.
“Për shumë familje, çdo shpenzim ka rëndësi. Prandaj është detyra jonë t’ua lehtësojmë marrjen e shërbimeve publike. Por dua të jem i qartë: qytetarët duhet të paguajnë më pak dhe të shërbehen më mirë!”, u shpreh ndër të tjera Demo.
Në fund, numri një i kabinetit të Brendshëm bëri të ditur se kjo nismë përbën vetëm një copëz të një strategjie më të gjerë për shembjen e barrierave burokratike, përshpejtimin e procedurave dhe forcimin e standardeve të kujdesit qytetar, duke siguruar se do të jetë vetë ai që do të monitorojë nga afër zbaktimin e këtij urdhri.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: