Kronikë
Tragjedi në Leeds: Ndjekja policore përfundon me përplasje fatale, humbin jetën dy të rinj
Reklamë e Sponsorizuar
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Leedsit në Britaninë e Madhe, ku dy të rinj, 22 dhe 23 vjeç, kanë ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti të frikshëm të shkaktuar nga një automjet që po i shmangej ndjekjes policore.
Ngjarja tragjike ndodhi në orët e para të së dielës në rrugën 'Gelderd Road'. Sipas njoftimit nga Policia e West Yorkshire, gjithçka nisi rreth orës 00:44, kur një automjet tip BMW 123D me ngjyrë blu nuk iu bind urdhrit për të ndaluar, duke detyruar patrullën policore të niste ndjekjen. Gjatë këtij operacioni, BMW-ja u përplas dhunshëm me një automjet tip Volkswagen Scirocco, i cili po kryente një kthim në të njëjtën rrugë.
Si pasojë e impaktit të fortë, drejtuesi i Volkswagen-it, një 22-vjeçar nga Yorku, humbi jetën në vendin e ngjarjes. Pasagjerja që udhëtonte me të, gjithashtu 23 vjeçe nga Yorku, u transportua me urgjencë në spital, por fatkeqësisht nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra. Identiteti i viktimave mbetet ende i pa bërë publik nga autoritetet.
Në lidhje me këtë aksident, policia ka vënë në pranga katër persona. Një 39-vjeçar nga Harrogate, i cili dyshohet se drejtonte BMW-në, është arrestuar me akuzat për shkaktim të vdekjes nga drejtimi i rrezikshëm dhe drejtim të mjetit nën efektin e kanabisit mbi normat e lejuara. Ai ndodhet aktualisht në paraburgim.
Tre personat e tjerë që ndodheshin në BMW – dy djem të moshës 16 dhe 17 vjeç, si dhe një 16-vjeçare – janë dërguar në spital me lëndime që nuk rrezikojnë jetën. Edhe këta të fundit janë arrestuar nën dyshimin për përfshirje në shkaktimin e vdekjes nga drejtimi i rrezikshëm i mjetit.
Autoritetet e Policisë së West Yorkshire kanë kërkuar ndërhyrjen e Zyrës së Pavarur për Sjelljen e Policisë (IOPC), e cila ka nisur një hetim të pavarur për të sqaruar dinamikën dhe veprimet e policisë gjatë ndjekjes. Hetuesit e IOPC-së kanë nisur mbledhjen e provave në vendngjarje, ndërsa procesi hetimor ndodhet në fazat e tij fillestare.
Zona mbeti e bllokuar për disa orë nga forcat e rendit, zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore, ndërsa policia ka apeluar te qytetarët që mund të kenë dëshmuar ngjarjen ose që disponojnë pamje filmike nga kamerat e sigurisë apo ato të automjeteve, që të kontaktojnë autoritetet për të ndihmuar në zbardhjen e plotë të kësaj tragjedie.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: