Aktuale
17 nëntori i vitit 2007: Dita kur Kosova vendosi bazat për shpalljen e pavarësisë
Reklamë e Sponsorizuar
Sot bëhen 19 vjet nga procesi zgjedhor i 17 nëntorit 2007, kur qytetarët e Kosovës iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në nivel parlamentar dhe lokal. Ky proces zgjedhor u karakterizua nga një pjesëmarrje e gjerë e spektrit politik, ku garuan 97 subjekte, përfshirë ato nga komuniteti serb, ndërsa procesi u mbikëqyr nga një numër i konsiderueshëm vëzhguesish vendorë dhe ndërkombëtarë.
Sipas të dhënave zyrtare, në listat zgjedhore ishin të regjistruar 1 567 690 votues, ndërsa interesimi për të votuar shënoi një pjesëmarrje prej 628 630 votuesish, ose 40,09% të trupit elektoral.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorën Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) si forcën e parë politike, duke i hapur rrugën formimit të koalicionit qeverisës PDK-LDK. Kjo marrëveshje rezultoi në zgjedhjen e Hashim Thaçit në postin e kryeministrit më 9 janar 2008. Qeveria e re u strukturua me një kryeministër, dy zëvendëskryeministra dhe një kabinet prej 17 ministrash.
Sa i përket përfaqësimit, PDK fitoi 196 207 vota (34,3%), e ndjekur nga LDK me 129 410 vota (22,6%), AKR me 70 165 vota (9,6%), koalicioni LDD-PSHDK me 57 002 vota (10%), AAK me 54 611 vota (9,6%), Partia ORA me 4,1% dhe Partia e Drejtësisë me 1,7%, ndërsa subjektet minoritare siguruan 5,4% të votave.
Në shpërndarjen e mandateve në Kuvendin e Kosovës, PDK siguroi 37 ulëse, LDK 25, AKR 13, LDD-PSHDK 11, AAK 10, ndërsa partitë e komuniteteve joshumicë si KDTP, PDAK, VAKAT, SLS, SDSKIM dhe SDA ndanë pjesën tjetër të vendeve.
Ky legjislaturë pati fatin historik që, vetëm pak kohë pas konstituimit, më 17 shkurt 2008, të miratonte Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Ky akt solemn mbetet një nga gurthemelet më të rëndësishme në historinë moderne të shtetit tonë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: