Sport
Shaquille O'Neal trondit opinionin sportiv: Basketbolli evropian është më i mirë se NBA-ja
Reklamë e Sponsorizuar
Ish-ylli i madh i NBA-së, Shaquille O’Neal, ka dhënë një deklaratë bujshme duke vlerësuar se basketbolli evropian është “pak më i mirë” sesa ai amerikan. Sipas tij, faktori kryesor që e bën diferencën është përkushtimi maksimal i lojtarëve gjatë çdo ndeshjeje të sezonit, duke veçuar intensitetin e lartë dhe pasionin që mbizotëron në parketet evropiane.
Legjenda amerikane ka zbarkuar në Lituani në prag të përballjes mes Zhalgiris Kaunas dhe kampionit në fuqi, Olympiacos, e cila do të zhvillohet të martën. Vizita e O'Neal vjen në cilësinë e ambasadorit të kompanisë lituaneze NordVPN, ndërsa ai do të ndjekë nga afër sfidën hapëse të sezonit në shtëpi për skuadrën e Zhalgirisit në “Zhalgirio Arena”.
Duke folur për atmosferën, O’Neal u shpreh se deri më tani ka përjetuar vetëm një takim basketbolli në Evropë, por pret që në Kaunas të përballet me një energji të jashtëzakonshme dhe spektakolare.
“Mezi pres ndeshjen e tyre kundër kampionëve. E di që në ndeshje do të jenë 15 mijë njerëz. Tifozët evropianë e shijojnë vërtet lojën. Më thanë se sonte ndoshta mund të grabisja dikë, sepse të gjithë do të jenë atje”, u shpreh O’Neal.
Duke vijuar rrëfimin e tij, ai shtoi: “Kam qenë vetëm në një ndeshje në Evropë dhe ishte çmenduri.
Prandaj mezi pres të shoh se sa intensive do të jetë kjo. Mendoj se basketbolli evropian është pak më i mirë se NBA-ja, edhe pse e di se shumë njerëz do të më kritikojnë për këtë. Këtu të gjithë japin maksimumin gjatë të gjitha 38 ndeshjeve të sezonit të rregullt”.
“Në NBA kemi lojtarë që pushojnë ose nuk angazhohen maksimalisht deri në All-Star ose në play-off. Prandaj jam i sigurt se sonte në parket do të ketë edhe ndonjë përplasje.
Ata luajnë kundër kampionëve dhe kjo është ndeshja e tyre e parë në shtëpi. Me të vërtetë mezi pres ta shoh”, përfundoi legjenda e basketbollit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: