Politikë
Rama për gazetarin e sanksionuar nga BE: Po sulmon Shqipërinë sepse po i afrohemi Bashkimit Evropian
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër në platformën X ndaj komenteve të gazetarit irlandez, Chay Bowes, lidhur me protestat e fundit në Shqipëri. Reagimi i kreut të qeverisë vjen vetëm pak orë pasi Bashkimi Evropian përfshiu emrin e Bowes në paketën e re të sanksioneve për shkak të lidhjeve të tij me propagandën ruse.
“Ja dhe një klloun i propagandës ruse që sot u sanksionua nga Bashkimi Europian pikërisht si klloun i paguar nga Rusia”, ka shkruar Rama, duke e lidhur interesimin e gazetarit për zhvillimet në vendin tonë me qëndrimet e tij pro-ruse. Sipas kryeministrit, sulmet e Bowes ndaj Shqipërisë nuk janë rastësore, por të motivuara nga përparimi i vendit drejt integrimit europian.
“Po me Shqipërinë pse? Se Shqipëria e teproi me ngjitjen e saj lart dhe afrimin e shpejtë te objektivi historik: Anëtarësimi në Bashkimin Europian”, thekson më tej Rama, duke shoqëruar postimin e tij me pamje që dëshmojnë dezinformimin e shpërndarë nga Bowes mbi protestat e zhvilluara së fundmi në Tiranë.
Chay Bowes, i cili njihet si korrespondent i kanalit rus RT International dhe ish-bashkëthemelues i medias irlandeze 'The Ditch', është sanksionuar zyrtarisht nga Këshilli i Bashkimit Evropian. Brukseli e ka identifikuar atë si një ndër figurat kryesore që angazhohen në manipulimin e informacionit dhe promovimin e narrativave që mbështesin agresionin rus kundër Ukrainës.
Masat kufizuese të vendosura ndaj gazetarit përfshijnë ngrirjen e aseteve të tij brenda territorit të Bashkimit Evropian, si dhe ndalimin e rreptë për qytetarët dhe kompanitë europiane që të ofrojnë fonde apo mbështetje financiare për të.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: