Kronikë
Tragjedi në Tajlandë: 11 viktima dhe dhjetëra të plagosur nga flakët në Phuket
Reklamë e Sponsorizuar
Një ngjarje e rëndë ka tronditur ishullin turistik jugor të Phuket në Tajlandë, ku të paktën 11 persona kanë humbur jetën dhe 16 të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e një zjarri shkatërrues në një ndërtesë tregtare, bëjnë të ditur burimet policore.
Komandanti i policisë së Phuket, Surachai Sooksai, ka bërë të ditur se ekspertët janë ende duke hetuar për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes. Megjithatë, të dhënat e para nga terreni tregojnë se një transformator elektrik pranë objektit ka shpërthyer pak çaste përpara se flakët të përfshinin ndërtesën, një element ky që largon dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme.
Nga ana e tij, guvernatori i Phuketit, Chodnarin Koedsom, ka shpjeguar se ambienti i marrë me qira shërbente për magazinimin e rreth 100 motoçikletave, ndërkohë që brenda tij ruheshin sasi të konsiderueshme benzine, vaj motori, si dhe materiale plastike e goma. Sipas tij, prania e këtyre substancave tejet të djegshme ka ndikuar ndjeshëm në përhapjen rrufeshme të flakëve dhe në krijimin e një tymi të dendur e toksik.
Autoritetet vendase kanë konfirmuar se mes 16 të lënduarve, 15 prej tyre janë shtetas tajlandezë dhe një tjetër i përket Myanmarit, ndërkohë që është theksuar se në listën e viktimave apo të plagosurve nuk figuron asnjë turist i huaj. Të gjithë të dëmtuarit janë dërguar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, kryesisht për shkak të asfiksisë nga thithja e tymit dhe plagëve të marra nga copërat e xhamave të thyer.
Kjo ngjarje tragjike rikthejnë në vëmendje debatin e hershëm lidhur me standardet e sigurisë dhe shëndetit në Tajlandë, veçanërisht në ambientet e mbyllura dhe zonat e argëtimit, të cilat shpesh kanë qenë në shënjestër të kritikave për mosrespektim të rregulloreve.
Statistikat tregojnë se vendi është përballur herë pas here me incidente të ngjashme. Në muajin korrik, një lokal nate i tejmbushur në kryeqytetin Bangkok u përfshi nga flakët dhe tymi si pasojë e një qarku të shkurtër elektrik, duke i marrë jetën rreth 40 personave.
Po kështu, memoriet e autoriteteve regjistrojnë edhe ngjarje të tjera të rënda në të kaluarën, si tragjedia e vitit 2012 në një klub nate në Phuket të njohur për turistët, ku mbetën të vdekur katër persona dhe pati shumë të plagosur, si dhe ajo e vitit 2009 në Bangkok, ku festimet e Vitit të Ri u shndërruan në makth pas një zjarri në një diskotekë që la 67 viktima dhe mbi 200 të lënduar.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: