Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Kurti paralajmëron lëvizje të forta në sektorin e energjisë dhe zbulon detajet nga diplomatike në Paris e Dublin

Redaksia Lajmetereja • 16-11-2026 11:42
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Kurti paralajmëron lëvizje të forta në sektorin e energjisë dhe zbulon detajet nga diplomatike në Paris e Dublin
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së 11-të të ekzekutivit, ka vënë theksin te zhvillimet e fundit diplomatike, duke ndarë me kabinetin qeveritar detaje nga vizitat e tij zyrtare në Paris dhe Dublin, si dhe aspiratat e qarta të vendit drejt integrimit euroatlantik. Gjatë fjalës së tij, kreu i Qeverisë ka paralajmëruar miratimin e afërt të tri vendimeve kyçe që lidhen me sektorin energjetik. Ndër to veçohet ndalimi i transaksioneve të energjisë elektrike me kompanitë serbe, si dhe ndërmarrja e masave emergjente për të garantuar një furnizim të qëndrueshëm me rrymë për qytetarët. Po ashtu, shefi i ekzekutivit ka mirëpritur dekretimin zyrtar të Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, dokument ky i cili u dekretua nga presidentja Justina Shiroka Pula. Në fjalën e tij të plotë drejtuar kabinetit qeveritar dhe mediave, kryeministri Kurti u shpreh: Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra, Të nderuar punonjës të kabinetit qeveritar dhe të mediave, Javën e kaluar ishim për vizita zyrtare në Paris për Forumin e Paqes atje dhe në Dublin për Samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC), ditë të dendura me më shumë se tridhjetë takime, pritje, bashkëbisedime, diskutime e aktivitete të ndryshme, prej tyre tetë me krerë shtetesh (presidentë e kryeministra), pastaj me sekretarët e përgjithshëm të NATO-s dhe Këshillit të Evropës. Ndërkaq, pjesa tjetër, jo më pak të rëndësishme, për arsimin, shkencën, kulturën e sportin, teknologjinë dhe inovacionin. Në kryeqytetin e Francës, u pritëm dy herë në Pallatin Élysée, së pari në mbrëmjen e organizuar nga presidenti Emmanuel Macron dhe Zonja e Parë, Brigitte Macron, e të nesërmen në takim bilateral. Me pritje u nderuam edhe nga presidenti i Senatit, Gérard Larcher, sikur edhe në Asamblenë Kombëtare të Republikës së Francës, ku bashkëbiseduam me përfaqësues të Komisionit për Politikë të Jashtme dhe të atij për Çështje Evropiane. Gjithashtu, pata takime me kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan, dhe kryetarin e Parisit, Emmanuel Grégoire. Në Forumin e Paqes mora pjesë në panelin “Making Peace Last: Rebuilding Societies After War”. Pra, ta bësh paqen të qëndrueshme, rindërtimi i shoqërive pas luftës. Në Samitin e Fëmijëve, që u lansua aty, si shtet iu bashkuam Deklaratës Politike, me qëllim mbrojtjen e mirëqenies dhe të drejtave të gjeneratave të reja dhe të ardhmes në përgjithësi. Edukimi dhe shëndeti i fëmijëve, përfshirë ai mendor e psikosocial, teksa po sfidohemi nga teknologjitë e reja dhe kalojmë kohë gjithnjë e më të gjatë para ekraneve, sigurisht që janë jetike. Në kryeqytetin e Irlandës, në nisje të punimeve të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC) u prita nga Taoiseach, kryeministri, Micheál Martin. Pastaj nga ministrja e Jashtme, Helen McEntee. Gjithashtu, u takova e bisedova me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham; të Kanadasë, Mark Carney; të Hungarisë, Péter Magyar; kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen; presidentin e Zvicrës, Guy Parmelin; si dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte; e atë të Këshillit të Evropës, Alain Berset. Ndërkaq, në Parlamentin e Republikës së Irlandës u pritëm nga përfaqësues të Komitetit për Çështje të Bashkimit Evropian. Në të dyja këto vizita, e në të gjitha rastet, theksuam përkushtimin ndaj të ardhmes tonë euroatlantike. Që rrugëtimi zyrtar i Republikës së Kosovës drejt BE-së, nëpërmjet marrjes së statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim, të mos vonohet edhe më tej, është thelbësore që Këshilli të kërkojë mendim nga Komisioni për aplikimin e dorëzuar më 15 dhjetor të vitit 2022, në Pragë të Republikës Çeke, e cila atëbotë mbante presidencën e Bashkimit Evropian.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar