Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Botë

Skandali me këngën serbe në Bruksel: Kuçi kritikon ashpër BE-në dhe kërkon llogari nga komisionarja Marta Kos

Redaksia Lajmetereja • 16-11-2026 09:02
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Skandali me këngën serbe në Bruksel: Kuçi kritikon ashpër BE-në dhe kërkon llogari nga komisionarja Marta Kos
Eksperti i çështjeve të sigurisë, Gurakuç Kuçi, ka reaguar me tone të rrepta pas interpretimit të këngës me përmbajtje nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” gjatë hapjes së Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel. Sipas tij, ky zhvillim përbën një skandal të rëndë politik dhe të sigurisë, i cili vë në pikëpyetje seriozitetin e bllokut evropian dhe qasjen e tij ndaj Kosovës. Përmes një reagimi publik, Kuçi ka shprehur kritikë të hapur ndaj asaj që e cilëson si politikë të stabilitokracisë së BE-së kundrejt Serbisë. Ai i ka bërë thirrje direkte komisionares evropiane, Marta Kos, që të distancohet publikisht, të kërkojë falje zyrtare dhe të sqarojë se kush e ka autorizuar përfshirjen e këtij repertori në një ngjarje zyrtare të Komisionit Evropian. Eksperti vuri në dukje se kënga e krijuar në vitin 1989, gjatë periudhës së ngritjes së shovinizmit serb, mbart pretendime të drejtpërdrejtë territoriale ndaj Kosovës—narrativë kjo që historikisht shërbeu për të arsyetuar politikat shtypëse të Beogradit. Kuçi ngriti pikëpyetje mbi kontradiktën e BE-së, e cila nga njëra anë financon projekte kundër diskriminimit dhe urrejtjes në rajon, e nga ana tjetër lejon promovimin e mesazheve të tilla në mjediset e veta institucionale. Ngjarja bëhet edhe më problematike pasi Kosova nuk kishte përfaqësim të nivelit të lartë shtetëror në këtë forum. Sipas tij, ky incident pasqyron qasjen e gjatë të bllokut evropian për t'i dhënë përparësi stabilitetit të përkohshëm në vend të përballjes me veprimet destabilizuese të regjimit të Vuçiqit. Ai paralajmëroi se normalizimi i narrativave territoriale dëmton përpjekjet për pajtim, cenon sigurinë rajonale dhe rrezikon ta kthejë procesin e integrimit evropian nga një mekanizëm standardesh në një instrument akomodues për kërkesat e Beogradit. Në përfundim, Kuçi rikujtoi se vetë Bashkimi Evropian është ndërmjetës i Marrëveshjes së vitit 2023, ku sanksionohet respektimi i integritetit territorial dhe fqinjësia e mirë. Ai nëvizoi se BE-ja duhet të dëshmojë qartë nëse zgjerimi do të mbetet një proces i bazuar në sundimin e ligjit apo nëse do të vazhdojë tolerimi i politikave që cenojnë besueshmërinë e vetë institucioneve evropiane.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar