Kronikë
Skandali i tjetërsimit të pronave në Fier: Drejtori i Spitalit mbetet në qeli
Reklamë e Sponsorizuar
Gjykata e Fierit ka dhënë verdiktin e saj lidhur me dosjen e bujshme të tjetërsimit të 44 mijë metrave katrorë tokë shtetërore në zonën e Povelçës. Trupi gjykues ka vendosur të mbajë në fuqi masën e sigurisë “Arrest në burg” për drejtorin e Spitalit të Fierit, Arben Voja, si dhe për dy persona të tjerë të përfshirë në këtë çështje.
Sipas vendimit të ndërmjetëm, përveç Arben Vojës, prapa hekurave mbeten edhe të hetuarit D.Sh. dhe A.H., të cilët akuzohen për përfshirje në paligjshmërinë e pronave publike. Në total, gjykata konfirmoi masën “Arrest në burg” për katër persona, ndërsa procesi vijon për të zbardhur në detaje rolin e secilit në këtë skemë.
Ndryshe nga pjesa tjetër e të pandehurve, për shtetasin F.B. gjykata ka vendosur zbutjen e masës së sigurisë. Ai tashmë do të përballet me detyrimin për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, ndalim të daljes jashtë vendit, si dhe pezullimin e ushtrimit të detyrës apo shërbimit publik.
Ndërkohë, për dy të hetuarit e tjerë, të identifikuar si A.J. dhe A., gjykata ka lënë në fuqi masat e mëparshme, përkatësisht “Detyrim për t’u paraqitur” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”. Hetimet për këtë rast vijojnë për të nxjerrë në dritë të gjithë mekanizmin e tjetërsimit të sipërfaqes së konsiderueshme të tokës në Povelçë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: