Politikë
Berisha lëshon akuza të forta ndaj Ramës për emërimin e Ervin Demos në Tiranë: PS, më e rrezikshme se të burgosurit
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar tonet ndaj maxhorancës, duke e vënë në shënjestër Ervin Demon pas vendimit për ta emëruar drejtues politik të Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës.
Gjatë fjalës së tij, Berisha hodhi akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se zgjedhja e Demos është bërë me qëllim që, sipas tij, të kryhen vepra penale gjatë procesit zgjedhor. Ai e cilësoi këtë lëvizje si një provokim të hapur që synon rritjen e tensioneve dhe u bëri thirrje banorëve të kryeqytetit që të organizohen në një front kundërshtues ndaj qeverisë.
Më tej, kreu i opozitës zgjeroi rrethin e akuzave, duke përfshirë në to anëtarët e Asamblesë Socialiste, si dhe figura të njohura të kësaj force politike, mes të cilëve Taulant Ballën dhe Sara Milen.
Duke iu drejtuar publikut, Sali Berisha u shpreh: "Së pari, ka vënë Ervin Demon sepse konstatoi që ky kriminel gjatë fushatës është i aftë të kryejë çdo krim. Dhe sigurisht vendosja e tij është një sfidë për konfliktualitet të madh. Është një kushtrim dhe thirrje për qytetarët e Tiranës të ngrihen përsëri në përballje me regjimin. Ndërsa, për asambleistët e tij, mund të them se në tërësi ata janë një kolektivitet shumë herë më kriminal se banorët e burgut të Peqinit apo të Fierit. A e morët vesh ju pse u thirr princesha e burgut, Sara Mile në SPAK? Sepse drejtoresha e ndihmave sociale në Peqin, me urdhër të saj, sipas regjistrimeve, ka përdorur ndihmat sociale qartësisht për vota. Për të blerë vota! A e dini ju që gjatë fushatës elektorale në qarkun e Elbasanit janë rrahur nga banda të gjithë kryetarët e bashkive socialistë, përveç atij të Gramshit, i cili e kishte vëllanë prokuror dhe kishin frikë se do t’i arrestonte."
Në vijim të deklaratës së tij, ish-kryeministri ndalua te figura e Taulant Ballës, duke ngritur pretendime të tjera lidhur me të kaluarën dhe sjelljen e tij publike.
"Pra, a është Sara mëkatarja më e madhe? Jo, ju them unë, nuk është. Aty ka bosë të krimit, përveç Padrinos, kreu i grupit parlamentar, njeri që sipas dokumenteve shtetërore zyrtare, ka porositur vrasje. Dhe një gjykatëse, një prokuror, kanë vendosur të djegin regjistrimin, i cili i përkiste numrit telefonik të Taulant Ballës. Dhe i përkiste emrit Taulant. Dhe ky është vetëm një nga krimet e Taulant Ballës, i cili në mënyrën më të pafytyrë, si një gangster u tregonte bërrylin në stadium dhjetëra mijëra qytetarëve dhe tifozëve që në unison brohorisnin ‘Rama ik’", u shpreh Berisha.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: