Sport
E ardhmja pas Messit nis me tribuna boshe: Biletat e kripura zbrazin ‘La Bombonera’
Reklamë e Sponsorizuar
Largimi i Lionel Messit nga kombëtare dhe çmimet e kripura të biletave kanë lënë shenjë të dukshme te Përfaqësuesja e Argjentinës, duke bërë që stadiumi ikonik “La Bombonera” në Buenos Aires të përballet me ulëse të boshatisura gjatë përballjes miqësore kundër Uruguait.
Në këtë duel, Argjentina u mposht me rezultatin 2:1, një ndeshje kjo e zhvilluar në stadiumin me një kapacitet prej rreth 55 mijë spektatorësh. Megjithatë, ajo që mori vëmendjen kryesore nuk ishte epilogi në fushë, por pamja e pazakontë e tribunave.
Në vend të entuziazmit të zakonshëm dhe atmosferës elektrizuese që e shoqëron rregullisht kombëtaren argjentinase, kësaj radhe mjaft sektorë të arenës sportive mbetën bosh, madje disa prej tyre nuk u vunë fare në dispozicion të publikut, ndërkohë që imazhet nga kryeqyteti argjentinas bënë xhiron e rrjeteve sociale.
Një kontrast i tillë mes madhështisë së duelit dhe mungesës së interesimit masiv të publikut është vënë në dukje gjerësisht edhe nga shtypi ndërkombëtar.
Shkak për këtë ftohje të tifozëve janë bërë tarifat e larta të vendosura nga Federata Argjentinase e Futbollit (AFA), ku çmimet e hyrjeve lëviznin nga 55 deri në 170 euro, ndërsa zona më ekonomike e stadiumit mbyllur plotësisht.
Vështirësitë u shtuan edhe nga fakti se sigurimi i biletave mund të bëhej vetëm fizikisht dhe duhej të tërheqeshin një ditë para takimit në stadiumin “Huracan”, kushte këto që ngritën valë pakënaqësie në mesin e mbështetësve.
Krahas faktorit ekonomik, mungesa e një ikone si Lionel Messi shënoi një kthesë rrënjësore për dinamikën e skuadrës, duke lënë një boshllëk që tashmë kërkon një lider të ri për të rizgjuar pasionin dhe për të mbushur sërish shkallët e stadiumeve.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: