Ekonomi
Eksperti ekonomik shigjeton institucionet: Realizimi i investimeve kapitale mbetet në kuotën e 35 për qind
Reklamë e Sponsorizuar
Analiza e efektivitetit të shpenzimit të fondeve publike duhet të ketë prioritet absolut para çdo diskutimi për ndarjen e buxhetit të vitit 2027. Ky është qëndrimi i njohësit të çështjeve ekonomike, Fidan Qerimi, i cili thekson se pavarësisht shifrave të larta në letër, shkalla e realizimit të investimeve kapitale në vend nuk i kalon 35 për qind.
Sipas tij, praktika e bartjes së projekteve të pafunduara nga njëri vit kalendarik në tjetrin ka krijuar një ngërç të investimeve, të cilat nuk po arrijnë të ofrojnë zgjidhje praktike për nevojat e qytetarëve.
“Para se të diskutohet buxheti, do duhej të diskutohet efektiviteti i buxhetit. Ne po shohim që kemi një rritje jashtëzakonisht të lartë të investimeve kapitale, do të thotë të projektuara, të buxhetuara, por realizimi i tyre është në masën 35 për qind”, u shpreh Qerimi.
Duke analizuar perspektivën ekonomike, ai vlerëson se Kosova ka nevojë urgjente për një strategji të qartë zhvillimore dhe orientim në sektorë me leverdi. Si fushë me potencial të lartë, Qerimi veçon shërbimet e teknologjisë, të cilat kërkojnë mbështetje institucionale përmes reformimit të sistemit arsimor.
“Para se ta orientojmë buxhetin, ne kemi një problem që nuk kemi një ekonomi të orientuar. Me një popullatë jashtëzakonisht të vogël, do të thotë si shtet, nuk mund të jemi, një shtet që prodhojmë dhe, krijojmë gjithçka. Do të duhej që, të orientohemi në disa fusha me të cilat ne do t'i avancojmë”, theksoi ai.
Në raport me komunitetin e bizneseve, eksperti shton se kostoja e lartë e energjisë elektrike përbën njërën nga pengesat kryesore që dëmton aftësinë konkurruese të prodhuesve vendorë në treg.
Institucionet, sipas tij, duhet të garantojnë kushte më të volitshme për furnizimin e ndërmarrjeve me energji, me qëllim të uljes së shpenzimeve të prodhimit dhe rritjes së konkurrueshmërisë.
“Fatkeqësisht, furnizimi me energji elektrike është një prej problemeve. Ne kemi pasur një periudhë jashtëzakonisht të gjatë kohore, ku i kemi favorizuar bizneset në aspektin e energjisë dhe kostos të energjisë, në kuptimin që të jemi më konkurrues në raport me tregjet ose me produktet e jashtme. Por në një fazë ku, ne kemi kaluar prej, një organizimi ose një favorizimi në një me një ndëshkim, jo që iu ofrojmë me tregun e Kosovës rrymën, por i kemi zhvendosur në treg ndërkombëtar, e që dihet që Kosova ka një, çmim shumë më të ulët për shkak të prodhimit të brendshëm që e kemi, do të thotë të energjisë, dhe këtë energji ne e kemi të lirë për shkak të pasurisë që e kemi”, deklaroi Qerimi.
Një tjetër sfidë madhore për familjet kosovare mbetet vala e shtrenjtimit të mallrave të shportës. Gjatë pesë viteve të fundit, inflacioni në këtë sektor ka kapur shifrën rreth 45 për qind, ndërkohë që të ardhurat e qytetarëve kanë mbetur në vend-shkronjë.
Qerimi ka adresuar kritika të ashpra ndaj ekzekutivit për mungesë të ndërhyrjeve të mirëfillta ekonomike për të zbutur këtë krizë.
“Fatkeqësisht nga një raport që sapo është publikuar, do të thotë kemi parë që për produktet bazë në pesë vitet e fundit kemi pas rreth 45 për qind inflacion. Fatkeqësisht ky inflacion nuk është përcjellë edhe me rritje të të ardhurave të qytetarëve edhe kjo ka bërë që të vështirësojë përballjen e qytetarëve me këtë dukuri. Fatkeqësisht, qeveria nuk është, që ka ndërmarrë ndonjë masë ekonomike, përveç masës së ndarjes së 100 eurove për disa kategori të qytetarëve, e cila masë nuk është reflektuar në mirëqenien e qytetarëve. Kjo nuk është një zgjidhje afatgjate, por e njëhershme”, përfundoi ai.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: