Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Ekonomi

B1 jashtë prodhimit, KEK-u kontrakton edhe 1.1 milion euro punë shtesë

Redaksia Lajmetereja • 13-11-2026 22:02
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
B1 jashtë prodhimit, KEK-u kontrakton edhe 1.1 milion euro punë shtesë
Publikuar më: Njësia B1 e Termocentralit Kosova B vazhdon të jetë jashtë prodhimit që nga prilli i këtij viti, ndërsa Kosova po hyn në sezonin dimëror me nevojë për import të energjisë elektrike, shkruan Kujdestari.info. Pavarësisht investimeve milionëshe dhe paralajmërimeve për përfundimin e punimeve gjatë nëntorit, ende nuk është konfirmuar publikisht data kur kjo njësi do të rikthehet në prodhim. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë vizitës në Kosovën B më 21 tetor, kërkoi nga kontraktori dhe Bashkimi Evropian angazhim maksimal që punimet të përfundonin brenda nëntorit, duke theksuar rëndësinë e B1-shit për furnizimin gjatë dimrit. Por, ndërsa pritet rikthimi i kësaj njësie, KEK-u ka nënshkruar një kontratë të re për punë shtesë në turbinën e saj. Më 10 nëntor, korporata ka kontraktuar kompaninë GE Steam Power France Branch in Kosovo, përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës, në vlerë prej 1 milion e 101 mijë e 904 eurosh. Sipas dosjes së tenderit, gjatë kontrollit të turbinës së presionit të mesëm dhe sistemit të bajpasit janë identifikuar dëmtime që kanë kërkuar ndërhyrje dhe pjesë shtesë. KEK-u arsyeton se sanimi i këtyre defekteve kërkon angazhimin e personelit shtesë të prodhuesit General Electric, sjelljen e pajisjeve speciale dhe kryerjen e punimeve në punëtori të kompanisë në vende të ndryshme të Evropës. Por dokumenti i prokurimit zbulonyy edhe një afat të rëndësishëm Në dosjen e përgatitur më 12 tetor, KEK-u kishte paraparë që punët shtesë të përfundonin deri më 12 nëntor 2026, duke lënë mundësinë që kjo datë të ndryshohej gjatë negociatave. Kontrata është nënshkruar më 10 nëntor, vetëm dy ditë para këtij afati. Nuk dihet nëse gjatë negociatave është ndryshuar data e përfundimit, nëse punët tashmë janë kryer apo sa kohë shtesë mund të kërkojë realizimi i tyre. Ndërkohë, modernizimi i turbinave të B1-shit dhe B2-shit është pjesë e një investimi prej rreth 56.5 milionë eurosh, ndërsa projekti i elektrofiltrave dhe reduktimit të oksideve të azotit, i financuar nga Bashkimi Evropian, kap vlerën rreth 84 milionë euro për të dyja njësitë. Sipas sqarimeve të KEK-ut, punimet për modernizimin e turbinave dhe komisionimi i ftohtë kanë përfunduar më 2 nëntor, por testimet përfundimtare varen nga përfundimi i projektit mjedisor. Për këtë projekt është përmendur data 25 nëntor si afat për ndezjen e kaldajës. Megjithatë, ndezja e kaldajës nuk nënkupton domosdoshmërisht rikthimin e menjëhershëm të njësisë në prodhim. Me B1-shin jashtë funksionit, çdo vonesë e mëtejshme mund ta rrisë nevojën për sigurimin e energjisë nga importi, varësisht nga konsumi dhe prodhimi i njësive të tjera.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar