Politikë
Integrimi evropian i Kosovës, Kurti nga Dublini: Nuk ka më kohë për vonesa në statusin e kandidatit
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Dublin në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm në Parlamentin e Irlandës. Ai është pritur nga përfaqësues të lartë të Komitetit për Çështje të BE-së, me të cilët ka diskutuar mbi aspiratat e Kosovës për t'u bërë vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në këtë takim morën pjesë personalitete kyçe, përfshirë kryesuesin e Komitetit, Barry Ward, anëtarin Rúairí Ó Murchú, sekretarin Ivan Farmer, si dhe Frank Smyth, drejtor për Zgjerim dhe Njësinë për Evropën Juglindore në BE.
Gjatë bashkëbisedimit, kreu i ekzekutivit kosovar ka potencuar nevojën për përshpejtimin e procesit zyrtar të integrimit. Sipas tij, marrja e statusit të vendit kandidat dhe fillimi i negociatave për anëtarësim janë hapa që nuk duhet të prolongohen më tej.
“Këshilli duhet domosdoshmërisht të kërkojë mendim nga Komisioni lidhur me aplikimin që kemi dorëzuar në dhjetor të vitit 2022. Për Qeverinë tonë, procesi i reformave është po aq i rëndësishëm sa vetë anëtarësimi, pasi përmes tij ne forcojmë shtetin dhe sjellim përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët tanë në rrugën tonë drejt familjes evropiane”, deklaroi Kurti.
Kujtojmë se Kosova ka zyrtarizuar aplikimin për statusin e vendit kandidat në fund të vitit 2022, megjithatë, Komisioni Evropian ende nuk ka nisur shqyrtimin formal të kësaj kërkese.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: