Ekonomi
Mashtrim me produktin e mishit: AUV urdhëron tërheqjen nga tregu të “Mishit të bluar të gjedhit” nga kompania “AJH FOODS”
Reklamë e Sponsorizuar
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndërmarrë masa urgjente pas zbulimit të parregullsive serioze në produktin “Mish i bluar gjedhi”, të prodhuar nga operatori ekonomik “AJH FOODS SH.P.K.” me seli në Novobërdë. Pas analizave laboratorike të kryera në institutin “ALIMENTI-OMNILAB” në Bullgari, është vërtetuar prania e ADN-së së pulës në një produkt që, sipas etiketës, duhej të përmbante ekskluzivisht mish gjedhi dhe yndyrë.
Kjo gjetje ka ngritur dyshime të forta se kompania në fjalë mund të ketë përdorur mish pule të ndarë mekanikisht (MNM) pa e deklaruar atë për konsumatorët. Gjatë inspektimit, autoritetet kanë gjetur dokumentacion që dëshmon furnizimin e kësaj kompanie me rreth 2.2 ton mish pule të ndarë mekanikisht, gjë që krijon mospërputhje të qartë mes përbërjes reale të produktit dhe informacioneve të shënuara në paketim.
Në zbatim të Ligjit nr. 08/L-120 për Ushqim dhe parimit të kujdesit, AUV ka urdhëruar tërheqjen e menjëhershme të këtij produkti nga tregu, si dhe ndalimin e përkohshëm të procesit të prodhimit. Megjithëse operatori ka kërkuar një analizë paralele për të verifikuar rezultatet – një e drejtë kjo e garantuar me ligj – masat parandaluese mbeten në fuqi deri në sqarimin e plotë të situatës.
Sipas të dhënave të inspektimit, deri më tani janë izoluar 77 kg mish i bluar në depon frigoriferike, ndërsa autoritetet po punojnë intensivisht për të gjurmuar sasitë e tjera që mund të jenë shpërndarë në pikat e shitjes. AUV është duke kryer hetime të thella për të përcaktuar nëse janë respektuar standardet e higjienës, përpunimit dhe ruajtjes së lëndëve të para.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nënvizon se transparenca ndaj konsumatorit është obligative. Sipas legjislacionit në fuqi, çdo produkt duhet të pasqyrojë saktësisht përbërjen e tij, ndërsa operatorët ekonomikë mbajnë përgjegjësi të plotë për sigurinë dhe saktësinë e informacionit që ofrojnë. Kontrollet e AUV-së do të vazhdojnë deri në marrjen e vendimit përfundimtar, duke siguruar mbrojtjen e interesave të qytetarëve.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: