Politikë
Hije dyshimi mbi arratisjen e Milan Radoiçiqit: Nga Serbia drejt Rusisë?
Reklamë e Sponsorizuar
Milan Radoiçiqi, i cili konsiderohet si arkitekti dhe organizatori kryesor i sulmit terrorist në Banjskë, dyshohet se është larguar nga territori i Serbisë për t'u strehuar në Rusi.
Këto pretendime janë bërë publike nga ish-inspektori i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA), Milan Zvezdanoviq. Ai ka deklaruar se, bazuar në informacione jozyrtare që qarkullojnë brenda strukturave të inteligjencës, Radoiçiqi tashmë ndodhet në territorin rus.
I pyetur nëse një lëvizje e tillë ishte bërë me miratimin e autoriteteve apo në rrugë ilegale, Zvezdanoviq ka nënvizuar lidhjet e ngushta që Partia Progresive Serbe (SNS) mban në pushtet, duke ironizuar se për Radoiçiqin nuk ka qenë kurrë e nevojshme një leje formale për të vepruar.
Sipas ish-inspektorit, largimi i Radoiçiqit ka shkaktuar shqetësim edhe brenda radhëve të lidershipit të BIA-s, duke pasur parasysh faktin se një pjesë e këtij institucioni kishte ndërtuar lidhje të ngushta biznesore dhe kriminale me të.
Kujtojmë se ndaj Radoiçiqit, përveç hetimeve për sulmin në Banjskë, ishin vendosur masa kufizuese nga gjykata serbe, duke përfshirë konfiskimin e pasaportës, ndalimin e largimit nga vendi dhe detyrimin për t'u paraqitur rregullisht në polici. Megjithatë, autoritetet gjyqësore në Serbi kanë heshtur përballë pyetjeve të shumta lidhur me respektimin e këtyre masave nga ana e tij.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: